Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me një konferencë shkencore për zhvillimin e konstitucionalizmit shqiptar (1912-2024) u shënua 34-vjetori i shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990. Në hapjen solemne të kësaj konference ishin të pranishëm ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët morën pjesë në shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut dhe pjesëmarrës të tjerë të kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës.
Për rolin historik të Deklaratës Kushtetuese, për aktin e shpalljes dhe për hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), folën Iliaz Ramajli, Muharrem Shabani dhe prof. Ismet Salihu.
Më pas konferenca për konstitucionalizmin shqiptar i vazhdoi punimet me referime profesionale të pjesëmarrësve nga Kosova dhe Shqipëria.