Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë paraqiti disa nga botimet e veta

Me datë 23 prill 2021, në orën 11, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u organizua paraqitja e disa prej botimeve të Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, që kanë të bëjnë kryesisht me kontributet e albanologëve të huaj në studimet e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe traditës shqiptare. Për shkak të masave dhe kufizimeve të shpallura nga qeveria e Kosovës për parandalimin e pandemisë Covid 19, promovimi u zhvilluar para një publiku të reduktuar, me distancat e kërkuara konform këtyre rregullave, derisa shërbimi teknik i Akademisë mundësoi që ky aktivitet të transmetohej drejtpërdrejt në kanalin youtube të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, mundësi kjo që rezultoi e qëlluar, gjykuar nga reagimet e atyre që patën mundësi ta ndjekin on-line.

U përuruan me këtë rast dy nga veprat e gjuhëtarit të shquar austriak Norbert Jokl (1877-1942), që janë pjesë e projektit shumëvjeçar për mbledhjen dhe botimin e veprës së plotë të njërit nga albanologët më të mëdhenj:  Studime historiko-krahasuese për gjuhën shqipe  / Historisch-Vergleichende untersuchungen über das Albanische (2017) përgatitur nga akademik Rexhep Ismajli dhe prof. dr. Heiner Eichner nga Akademia Austriake dhe Gjurmime linguistike historike-kulturore në fushë të shqipes / Linguistisch-Kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen (2019), përkthyer nga Skënder Gashi dhe përgatitur nga Rexhep Ismajli dhe Heiner Eichner. T’ju përkujtojmë se në vitin 2011, po nga Norbert Jokl, qe botuar dhe promovuar vepra Studim për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip /Studien zur Albanischen Etimologye und wortbildung, përgatitur gjithashtu nga akademik R. Ismajli, ndaj mund të konsiderohet se me këta tri vëllime që paraqesin tri shtyllat kryesore të veprimtarisë së dijetarit të shquar, është rrumbullakuar vepra e Joklit, sado që në vitin në vijim pritet edhe një botim i fundit me artikuj e studime që do të mblidhen, sistemohen e përkthehen.

Përurimin e hapi, me një fjalë rasti, sekretari i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë së ASHAK-ut, akademik Eqrem Basha.

Akademik Rexhep Ismajli, që mori fjalën i pari nga paneli i referuesve të këtij aktiviteti, në përkujdesjen e të cilit si përzgjedhës, mbarështrues i dorëshkrimeve të veprave që u promovuan dhe organizues i dy Konferencave shkencore, botimet e të cilave u promovuan gjithashtu, theksoi se botimi i albanologëve të traditës dhe në veçanti i albanologëve të huaj ka qenë në vatrën e interesimeve tona këtu e tridhjetë vjet më parë kur u inicua kolana, e cila ka sjellë deri sot studimet e dhjetëra studiuesve nga më të rëndësishmit në historinë e albanologjisë. Akademik Ismajli në veçanti u ndal te projekti i botimit të veprës së albanologut austriak Norbert Jokl, i konsideruar si njëri nga më të rëndësishmit në historinë e albanologjisë, e botuar e përkthyer në gjuhën shqipe por edhe në origjinalin gjermanisht, duke shquar të veçantat dhe rëndësinë e kësaj vepre për studimet albanologjike dhe ballkanologjike në përgjithësi.

Anëtari korrespondent Bardh Rugova foli kryesisht për botimin Studime albano-ballkanologjike, të Brian D. Joseph-it, profesor i gjuhësisë në Ohio State University të SHBA-ve, autoritet i shquar në fushë të gjuhësisë historike, specialist i greqishtes, i gjuhësisë ballkanike dhe i shqipes, anëtar i jashtëm i ASHAK-ut, kontributet e të cilit në këto studime i ka zgjedhur dhe përgatitur për shtyp akademik R. Ismajli dhe përkthyer nga origjinali anglisht ant. korr. B. Rugova. Libri ka qenë pjesë e programit të punës së Seksionit për vitin 2020 dhe doli nga shtypi në muajt e parë të këtij viti.

Gjithnjë në rrjedhën e studimeve dhe kontributeve të albanologëve të huaj për gjuhën, letërsisë dhe kulturës shqiptare, u realizuan dhe dy botime voluminoze me kumtesat e pjesëmarrësve në dy konferenca shkencore ndërkombëtare, organizuar nga ASHAK-u, që u përuruan gjithashtu. Për librin Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht / Albanistische Forschungen in den Deutschsprachigen Ländern, përgatitur nga akademik Rexhep Ismajli, foli prof. dr. Milote Sadiku, nga katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane të Fakultetit Filologjik të UP-së ndërsa për Studimet albanistike në Itali / Gli studi albanistici anëtari korrespondent Shkumbin Munishi. Të dy folësit analizuan kontributet e një numri të madh studiuesish nga vende të ndryshme të Europës dhe SHBA-të, bashkë me studiuesit shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që u paraqit në këto konferenca të vlerësuara  të rëndësishme për këto studime.

Video regjistrimi nga promovimi: https://youtu.be/Jcs4D-RmLmo