Raporti i punës për takimin e redaksive vendore të Kosovës dhe të Shqipërisë me përgjegjësit e redaksive të fushave të Enciklopedisë shqiptare

Për tri ditë me radhë, përmbledhur në katër seanca, është mbajtur takimi i punës i redaksive vendore të Kosovës dhe të Shqipërisë me përgjegjësit e fushave të Enciklopedisë shqiptare. Të pranishëm kanë qenë përgjegjësit e të gjitha redaksive të fushave nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe të gjithë anëtarët e Redaksisë vendore nga Prishtina dhe shumica e anëtarëve të redaksisë përkatëse nga Tirana.

Ditën e parë (10 tetor, pasdite) është mbajtur një seancë përgatitore dhe është prezantuar programi, qëllimi dhe synimet e takimit. Nga përgjegjësit e dy redaksive vendore të Kosovës dhe të Shqipërisë u kërkua që pjesëmarrësit të zhvillojnë komunikim dhe takime të ndërvetshme midis fushave të Enciklopedisë, në mënyrë që t’i sheshojnë dallimet dhe t’i koordinojnë sa më mirë punët e mbetura rreth fjalësit të fushave përkatëse.

Në ditën e dytë (11 tetor, në seancën e paradites dhe të pasdites), pas fjalëve hyrëse të përgjegjësve të redaksive vendore të Kosovës dhe të Shqipërisë (M. Kraja dhe Sh. Sinani), është raportuar për fjalësin e secilës fushë veç e veç (gjithsej 29 fusha), për regjistrin e fjalësit të hartuar nga redaksitë e të dyja palëve dhe për shkallën e harmonizimit të fjalësit ndërmjet redaksive të fushave Kosovë-Shqipëri. U shqyrtuan në detaje mungesat e fjalësve të fushave, përsëritjet eventuale, gjithnjë duke kërkuar që zbatimi i kritereve të jetë i vazhdueshëm dhe i pandryshueshëm për të dy palët. U diskutuan edhe probleme të tjera të fjalësit, siç janë nocionet e përgjithshme, kriteret për përfshirjen e personaliteteve, kolizionet eventuale tek fushat e afërta, gjithëpërfshirja, përsëritjet etj. Në përgjithësi u tregua kujdes i shtuar që fjalësit e fushave të jenë të balancuar, të hartuar me profesionalizëm, të kenë mbështetje shkencore dhe të gjejnë zbatim në hartimin e teksteve për Enciklopedinë. Gjithashtu iu kushtua kujdes identifikimit dhe emërtimit të fjalësve për artikuj përmbledhës, të cilët, sipas udhëzuesit të hartuar më herët, duhet të përfshijnë një numër të konsiderueshëm emërtimesh dhe njësish nga të gjitha fushat.

Ditën e tretë (12 tetor, paradite), u bë një rekapitullim i punës së bërë deri më tani, duke caktuar edhe detyrat afatshkurtra për redaksitë vendore dhe redaksitë e fushave, siç janë: Përmirësim i fjalësit sipas vërejtjeve të paraqitura; emërtimi dhe përmbajtja e zërave përmbledhës; reduktimi i fjalësit tek fushat me numër të tejkaluar të zërave; rishikimi dhe përmirësimi i emërtimeve të fjalësit; koordinimi midis fushave të afërta; si dhe koordinimi i punës ndërmjet redaksive të fushave Kosovës-Shqipëri.

Nga pjesëmarrësit takimi i vlerësua i dobishëm dhe i suksesshëm, me sugjerimin se takimet e këtilla do të jenë të nevojshme të bëhen edhe në të ardhmen.

Raportin e paraqiti:
Akademik Mehmet Kraja,
Kryeredaktor për Kosovën i Enciklopedisë shqiptare