Më 6 dhjetor 2013 në Prishtinë, në mjediset e Qendrës Leksikografike-Enciklopedike të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Mbledhja u mbajt nën drejtimin e akademik Rexhep Ismajlit dhe akademik Jani Thomait (bashkëkryetarë) me pjesëmarrjen e: akademik Besim Bokshit, akademik Ethem Likajt, akademik Gjovalin Shkurtajt, akademik Kolec Topallit, prof. dr. Tomor Osmanit, prof. dr. Seit Mansakut, prof dr. Imri Badallajt, prof. dr. Enver Hysës, prof. dr. Bardh Rugovës, prof. dr. Shefkije Islamajt, prof. dr. Abdullah Zymberit dhe Isa Bajçincës.
Në pamundësi për të marrë pjesë vetë diskutimet lidhur me materialet e dërguara paraprakisht i kishin dërguar me shkrim prof. dr. Franko Altimari dhe prof. dr. Mehmet Çeliku.
Mbledhja u mbajt sipas rendit të ditës të parashtruar më herët. Pikë qendrore e rendit të ditës ishte diskutimi i materialeve të përgatitura nga komisionet për çështje të morfologjisë në Tiranë dhe në Prishtinë. Komisionet kishin përmbledhur në dy materiale të ndara me detaje dhe lëndë ilustrimi pikat në rregullat ekzistuese të drejtshkrimit për të cilat ka pasur diskutime në opinion ose ato për të cilat anëtarët e Komisioneve e kanë gjykuar të nevojshme të diskutohet. Materialet e paraqitura me shkrim u diskutuan për çdo pikë veç e veç dhe me frymë të theksuar mirëkuptimi. Pasi u dëgjuan të gjitha diskutimet Këshilli arriti këto përfundime:
1. Pas diskutimeve për format e shumësit të disa emrave të gjinisë mashkullore që mbarojnë me -i të theksuar të sanksionuar si shumësa me -nj, u arrit përfundimi të propozohet që këta shumësa të përfundojnë me -j. Këtu përfshihen rrjedhojat që në temë kanë një shumës të tillë;
2. U miratua propozimi që te foljet që pësojnë ndryshimin -t/-s të mbetet normative vetëm forma me -s;
3. U miratua propozimi që forma e rasës kallëzore të shquar tek emrat që mbarojnë me -ua: krua, kroi të rrafshohet sipas tipit të përgjithshëm të ndërtimit të këtyre formave të emrave mashkullorë, pra krua-kroi-kroin, ashtu si dhe trajta e kallëzores së shquar të emrave mashkullorë që dalin me -a ose -e të theksuar (again, babain, jubileun, atdheun);
4. U konsideruan si gabime prirjet në përdorim të formave të zhdrejta të përemrave pronorë të gjinisë femërore ime, jonë, jote dhe juaj si vajzës time, vajzës tonë, vajzës tënde, vajzës tuaj dhe kërkohet respektimi i normës ekzistuese, pra vajzës sime, vajzës sate, vajzës sonë, vajzës suaj;
5. Përdorimi i trajtave të lidhores pa formantin të (p.sh. do laj) konsiderohet shkelje e normës; formë e vetme e drejtë konsiderohet forma me të: do të laj;
6. Tek urdhërorja joveprore e foljeve të tipit kruaj, ruaj duhet të mbetet normative forma me -j (ruaju, kruaju), dhe jo me -h (kruhu, ruhu);
7. Rastet e tjera të sistemit emëror dhe foljor, të cilat mund të dalin me zgjidhje të veçanta, mbetet të studiohen dhe të diskutohen në mbledhjen e radhës të Këshillit, bashkë me çështjen e përdorimit të shkronjës së madhe;
8. U arrit përfundimi që të mos mbështetet prirja për respektimin e ambigjinisë tek emrat shumës më -ra (fshatra të elektrizuara, ujëra të ftohta) dhe të konsiderohet si normative vetëm forma e gjinisë mashkullore (fshatra të elektrizuar, ujëra të ftohtë).
9. U vendos që në mbledhjen e radhës të Këshillit të merren në shqyrtim çështjet e mbetura nga kjo mbledhje dhe nga mbledhja e kaluar, e që lidhen me drejtshkrimin dhe me morfologjinë, si dhe ato që do të propozojnë grupet e punës për çështje sintaksore.
Kryesia e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe
Prishtinë, 7 dhjetor 2013