Më 12 maj, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në përputhje me masat për parandalimin e Covid-19 u bë paraqitja publike e “Platformës për rimëkëmbjen e arsimit në Kosovë”. Në paraqitje përveç anëtarëve të Akademisë, morën pjesë Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Arbërije Nagavci, përfaqësues të institucioneve arsimore, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
Promovimin e hapi akademike Justina SH. Pula, koordinatore e Grupit punues të ASHAK-ut për hartimin e “Platformës”. Ajo tha se gjendja e rënduar në sistemin e arsimit në Kosovë e ka nxitur Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si promotore kryesore e zhvillimit të mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike, të shprehë qëndrimin e saj për problemet kyçe të arsimit në Kosovë.
Platforma është produkt i punës ekipore dhe konsultimeve të gjëra, ku kanë marrë pjesë anëtarë të ASHAK-ut dhe ekspertë që merren me problematikat e arsimit nga komuniteti akademik, institucionet shtetërore, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile.
Procesi është drejtuar nga grupi i punës i përbërë nga anëtarë të ASHAK-ut dhe profesionistë e hulumtues jashtë tij. Pas konsultimeve fillestare janë organizuar dy tryeza për analizën e gjendjes në arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë. Pastaj janë organizuar edhe shumë takime me nëngrupet për arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë, theksoi akademikja Pula.
Mbi bazën e këtyre materialeve, Grupi punues ka hartuar draftin e dokumentit i cili është përpunuar pas komenteve të anëtarëve të Akademisë dhe është miratuar nga Kryesia e Akademisë.
J. Pula në fund tha se institucionet qeveritare të Kosovës kanë deklaruar vazhdimisht se arsimin e kanë prioritet, mirëpo praktika ka treguar të kundërtën, prandaj duhet të dilet nga ky rreth dhe t’u sigurohet brezave që vijnë të drejtën elementare të mendimit të lirë, të drejtën për një shkollim që i përgatit për jetë.
Që Platforma të mos ngelë në letër, shoqëria e Kosovës duhet të vetëdijesohet për peshën e problemit e të përballet urgjentisht me sfidat që janë trajtuar në këtë tekst, dhe kjo përballje kërkon jo vetëm dije, por edhe guxim e dinjitet.
Më pas, një fjalë rasti e mbajti akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK-ut, i cili pasi falënderoi grupin punues dhe të gjithë të angazhuarit e tjerë për punën dhe përkushtimin e tyre, ndër të tjera tha se “Te ne në Kosovë tashmë është krijuar një vetëdije e përgjithshme shoqërore, se arsimin e kemi në gjendje të keqe dhe se është e nevojshme po ashtu një aksion i përgjithshëm shoqëror, që të mund ta tejkalojmë këtë gjendje. Nuk tejkalohet gjendja e këtillë në arsim as me politika arsimore, as me grupe të interesit, as me individë të përgjegjshëm ose të papërgjegjshëm, as me ekspertë dhe as me institucione vendimmarrëse; tejkalohet vetëm nëse vetëdija shoqërore arrin atë nivel, kur të gjithë marrin përgjegjësitë që iu takojnë në një proces të vështirë të ringritjes përmes idealizmës dhe rikthimit te idetë iluministe.”
Një fjalë rasti mbajti edhe Ministrja Nagavci, e cila e përgëzoi Akademinë për punën e bërë dhe u zotua se është e gatshme për bashkëpunim më intensiv ndërmjet ASHAK dhe MASHTI.
Video regjistrimi nga aktiviteti: https://youtu.be/8iUxv5Xj3tc