Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nga 24-26 prill 2023, u mbajt Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor (edicioni i dytë), i cili u organizua nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Në hapje të Panairit, në orën 10:00, Akademik Sabri Hamitit iu dha Çmimi “Jakov Xoxa” për librin më të mirë akademik kombëtar për veprën studimore Stilografia. Çmimi iu dorëzua nga udhëheqësit e të tri institucioneve organizuese: Akademik Mehmet Kraja, Akademik Skënder Gjinushi e Drejtoresha Alda Bardhyli.
Akademik Sabri Hamiti në fjalën e tij ndër të tjerash tha: Jam i nderuar me vlerësimin që i bëni librit tim. Qendra e Librit dhe e Leximit ka bërë një gjetje të pazakontë duke i dhënë emrin e novelistit e romansierit Jakov Xoxa një çmimi për vepër kritike. Kjo edhe duket si një pohim që shkrimi i leximit letrar bëhet letërsi. Në librin tim Stilografia, tashmë të shënjuar me emrin Jakov Xoxa, kryevepra e Xoxës “Lumi i vdekur”, renditet midis kryeveprave të letërsisë shqipe.
Duke e uruar laureatin e Çmimit, Akademik Sabri Hamitin, dhe duke vlerësuar nderimin që i bëhet veprës letrare të Jakov Xoxës, të paranishmit i ka përshëndetur Agron Xoxa, i biri i shkrimtarit shqiptar.
Në vijim të Panairit, më 24 prill 2023, nga ora 11-12, u promovuan librat e Seksionit të Gjuhësisë e të Letërsisë, Sabri Hamiti: Stilografia dhe Selman Riza: Vepra 6.
Për veprën studimore të Sabri Hamitit foli Anëtari korrespondent Nysret Krasniqi, i cili është recensent i librit. Nysret Krasniqi ndër të tjerash theksoi: Libri studimor Stilografia është vepër me peshë letrare, kulturore e nacionale, ku Sabri Hamiti ka studiuar letërsinë dhe kulturën shqipe në natyrën interne të saj duke krijuar një anatomi njëshekullore letrare shqipe.
Ndërsa, për veprën e Selman Rizës folën Akademik Sabri Hamiti, Akademik Rexhep Ismajli (përgatitës i botimit) dhe Anëtari korrespondent Bardh Rugova.
Akademik Sabri Hamiti tha: Selman Riza: Vepra 6 është vepra përfundimtare e Selman Rizës, përgatitur nga Rexhep Ismajli, botuar nga Akademia jonë. Është vendi e koha të thuhet që Rexhep Ismajli me përkushtim e dashuri të pafund botoi dorëshkrimet nga fletoret e Selman Rizës, edhe në këtë vepër. Sabri Hamiti po ashtu rikujtoi komunikimet albanologjike të Eqrem Çabejt e Selman Rizës me Rexhep Ismajlin, duke e vlerësuar lart punën shkencore të Rexhep Ismajlit në fushë të alabanologjisë me specifikë në historinë e gjuhës.
Pastaj, për veprën e Selman Rizës në tërësi e veçanërisht për vëllimin Vepra 6, foli Akademik Rexhep Ismajli, i cili theksoi: Në këtë studim Selman Riza shqyrton çështjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit më parë se nga aspekti juridiko-etnologjik, nga aspekti i një interpretimi sociologjik. Selman Riza merrej në radhë të parë me Kanunin nga aspekti i rendit shoqëror që i përgjigjet atij, si e përgjithshme, për të lënë hapësirë për vështrime të veçanta të së drejtës zakonore të ngërthyer në të. Duke rikujtuar shtrëngesat ideologjike të kohës, burgimet e Selman Rizës, si dhe krizat e vazhdueshme jetësore të tij, Rexhep Ismajli vlerëson se Selman Riza është njëri nga studiuesit më eminentë të gramatikës historike të shqipes.
Për venerimet detajizuese të studimit të strukturës gramatikore të shqipes nga Selman Riza, foli edhe anëtari korrespondet Bardh Rugova.
Promovimi i këtyre veprave zgjoi interesim te të pranishmit.
Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë