E nderuar Kryesi e punës,
I nderuar Kryetar i ASHAK-ut – akademik M. Kraja,
I nderuar Ambasador i Hungarisë në Kosovë – Z. Laszlo Markus,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë, akademikë, studiues dhe gazetarë
Zonja dhe Zotërinj të nderuar,
Kam nderin e veçantë, që në emër të Akademisë, ta deklaroj të hapur promovimin e librit të Akademisë së Shkencave dhe të Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, të hartuar nga një grup autorësh eminentë hungarezë, i cili i dedikohet lidhjeve miqësore gjatë historisë ndërmjet shqiptarëve e hungarezëve.
Ky botim siç do të paraqitet më detajisht nga prezantuesit, ngërthen në vete trajtesa të vlefshme të ngjarjeve dhe të aspekteve që përbëjnë lidhjet e epokave dhe të figurave të shquara nga e kaluara e të dy popujve tanë.
Në këtë vepër prej 340 faqesh, me argumente jepen tablo të veçanta të ndihmës të studiuesve hungarezë, siç është ballkanologu i shquar, Lajos Thalloszy, për rëndësinë e studimeve albanologjike nga këndvështrimi gjuhësor e historik, në botimin dy vëllimor “Hulumtime Ilire-Shqiptare”; në spikatjen e rolit të misionarëve të ndryshëm kulturorë dhe fetarë; në studimin e dy figurave dominante të mesjetës në Evropë: Skënderbeut shqiptar dhe të hungarezit Gjon Huniadi, si dy personalitetet më të shquara në luftën kundër osmanëve në shekullin XV-të.
Një tjetër trajtesë e argumentuar shkencërisht i është kushtuar edhe periudhës më të re të historisë së Kosovës, me autorësi të ambasadorit hungarez në Prishtinë, László Márkusz. Ai në mënyrë analitike e trajton “Qëndrimin e Hungarisë për Pavarësinë e Kosovës”, si një domosdoshmëri faktike e pajtimit parimor në mes pozitës dhe opozitës në Hungari më 19 mars 2008.
Këto që u thanë më sipër, si dhe vlerësimet e pesëmbëdhjetë autorëve të nderuar hungarezë – në punimet e këtij botimi, janë një vlerë e shtuar për thellimin e njohurive dhe dijeve për historinë, për kulturën dhe për begatimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve miq – hungarezëve dhe shqiptarëve.
Me këtë rast dua të falënderoj posaçërisht, redaktorin e botimit akademik Krisztián Csaplár-Degovics, për kontributin e madh me rastin e përgatitjes së suksesshme të këtij edicioni, si dhe ambasadorin Márkusz për angazhimet e tij të sinqerta në prezantimin e këtij botimi para opinionit kosovar.
Ju faleminderit dhe ju uroj punë të mbarë.
Akademik Jusuf Bajraktari