Pjesëmarrje në ceremoninë e shënimit të 56-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës (UP)

Akademik Fejzullah Krasniqi, nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), sot, më 13 shkurt 2026, mori pjesë në Ceremoninë e shënimit të 56-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
Akademik Krasniqi, sipas agjendës mbajti fjalim në emër të ASHAK-ut.

“I nderuar Rektor i Universitetit të Prishtinës, profesor Arben Hajrullahu,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës,
Staf akademik, studentë të dashur, të nderuar të pranishëm,

Sot, me një ndjenjë të thellë nderi, krenarie dhe mirënjohjeje, nënvizojmë së bashku edhe një vit tjetër të rëndësishëm në historinë e Universitetit të Prishtinës në, 56- vjetorin e themelimit.

Me rastin e këtij përvjetori, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell urimet më të përzgjedhura në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe kryetares Justina Shiroka Pula për gjithë komunitetin akademik, studentët, stafin administrativ dhe të gjithë ata që e mbështesin këtë institucion.

Që nga themelimi i tij, Universiteti i Prishtinës ka qenë shtylla kryesore e dijes, kërkimit shkencor, zhvillimit intelektual dhe formimit profesional në vendin tonë. Për dekada me radhë, ai ka shërbyer si vatër e përgatitjes së kuadrove të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, ekonomike dhe kulturore.

Ky institucion i shenjtë i dijes ka qenë qendër për arsimimin dhe një pikë referimi për brezat e rinj nga të gjitha trojet me popullatë shqipëtare duke kontribuar jo vetëm në ngritjen e tyre në aspektin profesional dhe shkencor, por edhe në forcimin e identitetit, vetëdijes kombëtare dhe aspiratave për liri dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Përmes përkushtimit të palëkundur të stafit akademik dhe administrativ, si dhe përmes punës së palodhur dhe ambicies së studentëve, Universiteti i Prishtinës ka dëshmuar vazhdimisht misionin e tij në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe kulturës së debatit akademik. Kontributi i tij ka qenë thelbësor në ruajtjen e vlerave kombëtare, në promovimin e demokracisë dhe në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në dije dhe progres drejt të ardhmes.

Sot, kur po flasim për arritjet e deritanishme, ne njëkohësisht kemi besim të plotë për të ardhmen e ndritur të Universitetit të Prishtinës si qendër e fuqishme intelektuale që vazhdon me sukëses të plotë të formojë breza profesionistësh të shkëlqyeshëm dhe të nxisë inovacion e kreativitet në mbarë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.

Në këtë ditë përvjetori, shprehim respektin tonë më të lartë dhe urimet më të sinqerta që Universiteti i Prishtinës të vazhdojë të fuqizojë misionin e tij fisnik, të rritet me sukses në fusha të reja akademike, të forcojë edhe në vazhdim bashkëpunimet ndërkombëtare dhe të jetë gjithnjë një udhëheqës i arsimit të lartë, një burim frymëzimi për studentët dhe një faktor kyç për zhvillim të shoqërisë.

Të dashur pjesmarrës, Gëzuar përvjetorin e 56- të UP!
Ju urojmë suksese të mëtejshme në misionin tuaj në të gjitha angazhimet e ardhshme!”