Pjesëmarrje e Kryetares së ASHAK-ut në Asamblenë e Përgjithshme të ALLEA-s 2026

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula e shoqëruar nga akademik Besnik Krasniqi, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ALLEA-s 2026, e cila u mbajt në Varshavë, Poloni, nga 26 deri më 29 maj 2026.

Këtë vit, Asambleja e Përgjithshme e ALLEA-s u organizua në Copernicus Science Centre, me mikpritjen e Akademisë Polake të Shkencave. Programi përfshiu takimin zyrtar të delegatëve të akademive anëtare të ALLEA-s, pjesëmarrjen e kryetares Justina Shiroka-Pula në sesione të përbashkëta me përfaqësues të akademive evropiane dhe akademive kombëtare evropiane të shkencëtarëve të rinj – ENYA, si dhe aktivitete të tjera shkencore dhe publike.

Në këtë takim delegacioni i ASHAK-ut, realizoi takime me Paweł Rowiński, kryetar i ALLEA-s dhe Marie Louise B Nosch, nënkryetare e ALLEA-s.

Në kuadër të programit, akademik Besnik Krasniqi mori pjesë edhe në punëtorinë e SAPEA (Mekanizmi i Këshillimit Shkencor të Komisionit Evropian), “Diversity in Science Advice for Strengthened Trust, Public Confidence and Legitimacy”, mbajtur më 29 maj 2026 në Staszic Palace, Varshavë. Akademik Krasniqi ishte pjesë e grupit tematik “Funding, Compliance and Mobility: Constraints on Participation in Science Advice”, ku u diskutuan sfidat që lidhen me financimin, kërkesat e përputhshmërisë dhe barrierat e mobilitetit në pjesëmarrjen e ekspertëve në sistemet e këshillimit shkencor.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të ASHAK-ut në këto aktivitete ndërkombëtare dëshmon për angazhimin e Akademisë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin shkencor dhe promovimin e rolit të shkencës në këshillimin publik dhe proceset e vendimmarrjes.