Më 5 shtator 2026, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u mbajt aktiviteti përkujtimor me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, me temën “Udha Misionare e Gonxhe Bojaxhiut – Drejt Nënë Terezës Universale”, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Në këtë veprimtari, kushtuar jetës, veprës dhe trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, mori pjesë edhe Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Fejzullah Krasniqi. Aktiviteti solli në vëmendje rrugëtimin e jashtëzakonshëm njerëzor dhe misionar të Nënë Terezës, duke theksuar vlerat që ajo mishëroi gjatë gjithë jetës së saj: dashurinë për njeriun, humanizmin, përkushtimin, solidaritetin dhe shërbimin ndaj më të pambrojturve.
Në kuadër të këtij përvjetori u rikujtua edhe lidhja e veçantë e Nënë Terezës me identitetin dhe trashëgiminë shqiptare. Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në një familje shqiptare, me jetën dhe veprën e saj u shndërrua në një figurë me përmasa botërore, duke kapërcyer kufijtë kulturorë, shoqërorë dhe fetarë. Emri i saj sot përfaqëson një trashëgimi universale të humanizmit dhe të dinjitetit njerëzor.
Veprimtaria ishte një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kësaj trashëgimie, si dhe mbi nevojën që figura dhe vepra e Nënë Terezës të vazhdojnë të trajtohen e të dokumentohen në kuadër të kujtesës kulturore dhe historike shqiptare.
Pjesëmarrja e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në këtë përvjetor shpreh vlerësimin institucional për figurën dhe veprën e Nënë Terezës, si një nga personalitetet më të njohura me origjinë shqiptare dhe një emër me rëndësi të veçantë në kujtesën, kulturën dhe identitetin shqiptar. Në të njëjtën kohë, ajo dëshmon përkushtimin e ASHAK-ut për të mbështetur veprimtaritë që nderojnë personalitete dhe vlera që kanë lënë gjurmë të thella në historinë dhe kulturën tonë.
