Përfaqësues të ASHAK morën pjesë në ceremoninë e KEDS Academy – Gjenerata XII

Më 12 gusht 2026, në restorantin “E.DH.E.” në Sofali, Prishtinë, u mbajt Ceremonia e Ndarjes së Certifikatave të KEDS Academy – Gjenerata XII, me rastin e përfundimit me sukses të programeve zhvillimore dhe periudhës provuese të punësimit për pjesëmarrësit e programit.

Në ceremoni morën pjesë edhe nënkryetari i ASHAK-ut, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, anëtari korrespondent Enver Hamiti.

Me këtë rast, përfaqësuesit e ASHAK-ut zhvilluan një takim të shkurtër me Drejtorin e Përgjithshëm (Chief Executive Officer – CEO) të KEDS-it, Alpin Doğan, dhe Drejtorin e Operacioneve (Chief Operations Officer – COO), Prof. Asoc. Dr. Avni Alidemaj, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet ASHAK-ut dhe KEDS-it.

Pjesëmarrja e ASHAK-ut në këtë ngjarje shpreh mbështetjen institucionale për zhvillimin profesional të të rinjve, promovimin e dijes dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik dhe sektorit të energjisë.