Paraqitje e botimeve dhe e dokumenteve për Çamërinë

Më 28 shtator në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u paraqitën botimet dhe dokumentet për Çamërinë të një periudhe tridhjetëvjeçare, nga vitit 1991 deri më 2021, organizuar nga nga Fondacioni “Hasan Tasini”.
Prezantimin e botimeve e hapi kryetari i Akademisë, akademik Mehmet Kraja, i cili ndër të tjera tha se autorët e këtyre botimeve që po i prezantojmë sot, janë emra të shquar në fushën e shkrimit të historisë ose të letërsisë historike, të cilët me veprat e tyre kanë dhënë kontribut të çmuar për depërtime të rëndësishme në fushën e studimeve për çështjen çame. Më tej ai shtoi se Kosova gjatë historisë së saj më të re, e ka jetuar dhe rijetuar disa herë tragjedinë e ngjashme me dramën dhe tragjedinë çame: gjenocidi mbi Kosovën është ushtruar në sekuenca të përsëritura, që nga luftërat ballkanike dhe prapa, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore; para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në dhjetëvjetëshin e parë dhe të dytë të ndërtimit të socializmit dhe, së fundi, me eksodin dhe spastrimin e madh etnik të vitit 1999, duke shtuar në fund se ne që i kemi përjetuar drama të ngjashme me atë të Çamërisë, kemi mësuar një gjë: e vërteta për pësime të këtilla nuk duhet të harrohet, sepse humbja e kujtesës është rituali alegorik i përsëritjes së mundshme të tragjedisë.
Për botimet për Çamërinë fjalën hyrëse e mbajti prof. dr. Bashkim Kuçuku dhe më pas ligjëruan prof. Hajredin Isufi, prof. Irakli Koçollari, prof. Ahmet Mehmeti, Enver Kushi etj.