Të premten, më 5 korrik 2013, në orën 12:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u bë paraqitja e botimit të veprës së plotë të poetit dhe akademikut Ali Podrimja.
Tubimin e drejtoi akademik Mehmet Kraja, Sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, i cili ia dha fjalën përshëndetëse Kryetarit të Akademisë akademik Hivzi Islamit.
Për veprën e akademik Ali Podrimjes folen akademik Ali Aliu, redaktor përgjegjës i botimit dhe akademik Rexhep Ismajli.
Të pranishëm në këtë paraqitje ishin znj. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës, z. Ramë Buja, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Memli Krasniqi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, familja e poetit Podrimja dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në nëntë vëllimet e veprës së plotë të Podrimjes janë përfshirë:
Në vëllimin e parë librat me poezi “Thirrje”, botimi i parë dhe botimi i dytë i plotësuar, si dhe përmbledhja “Shamijat e përshëndetjeve”; në vëllimin e dytë dy botime të përmbledhjes “Dhimbë e bukur”, dhe “Sampo”, ndërsa në vëllimin e tretë: “Hija e tokës”, “Torzo”, “Folja” dhe “Credo”. Në vëllimin e katërt janë përfshirë tre libra të poezive: “Lum Lumi”, “Fund i gëzuar” dhe “Zari” dhe në vëllimin e pestë librat: “Në bisht të sorrës”, “Buzëqeshje në kafaz”, “Ishulli Albania” dhe “Pikë e zezë në blu”, ndërsa në vëllimin e gjashtë është botuar libri me poezi të zgjedhura “Litari i ankthit”. Vëllimi i shtatë përbëhet nga dy libra tregimesh, “Loja nën diell” dhe “Burgu i hapur”, ndërsa në vëllimet e tetë dhe të nëntë janë përfshirë librat e publicistikës: “Tkurrja e atdheut”, “Libri që nuk mbyllet”, “Dielli i zi” dhe “Ëndrra kallxohet në mëngjes”.