U promovua libri “Proceset konvencionale membranore dhe të integruara” i prof. Salih Gashit

Më 21 mars 2024 në lokalet e ASHAK-ut u bë paraqitja publike e librit me titull “Proceset konvencionale membranore dhe të integruara” të autorit prof. Salih Gashi, anëtar korrespondent i ASHAK-ut. Promovimi u bë me rastin e 80 vjetorit të lindjes së prof. Salih Gashit.

Fjalën përshëndetëse e mbajti sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, prof. Fetah Podvorica, anëtar korrespondent ndërsa kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja e përgëzoi autorin Salih Gashi për këtë botim të radhës dhe njëherësh i uroi 80 vjetorin e lindjes, duke i dëshiruar shëndet dhe aktivitet të mëtejmë.

Më pas Fetah Podvorica paraqiti shkurtimisht të dhëna nga biografia e prof. Salih Gashit dhe vuri në pah kontributin e tij akademik dhe shkencor të gjatë më se 5 dekada, si në ngritje të kuadrit akademik dhe në krijimtari shkencore.

Në emër të recensentëve të librit “Proceset konvencionale membranore dhe të integruara” akademik Nexhat Daci dhe akademik Fejzullah Krasniqi, për librin foli akademik Fejzullah Krasniqi. Ai i paraqiti elementet kryesore që e karakterizojnë këtë botim. Ai saktësoi se libri trajton kryesisht tri lëmi kryesore: parimet dhe zbatimi i proceseve konvencionale, membranore dhe të integruara që janë zbërthyer nëpër kapituj të veçantë. Këto procese bashkëkohore sot përdorën në lëmin e separimit në industri  të ndryshme dhe trajtimin e ujit. Proceset e  shtjelluara e në veçanti ato membranore dhe të integruara janë procese të reja, për të cilat ka njohuri teorike të pakta dhe zbatime shpesh të kufizuara dhe terma të pa standardizuara, prandaj autori është përpjekur t’i  trajtojë në mënyrë që ato të jenë sa më të afërt fenomeneve që i përfaqësojnë.

Në fund të promovimit, autori i librit, prof. Salih Gashi, foli për nxitjen që ka pasë për ta shkruar këtë libër.