U promovua libri “Gjeopolitika, territori, konflikti” nga Hivzi Islami dhe Arsim Ejupi

Më 22 maj 2024, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në prani të shumë pjesëmarrësve nga bota akademike dhe shkencore, u bë promovimi i botimit “Gjeopolitika, territori, konflikti”, me nëntitull “Politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve” të autorëve Hivzi Islami dhe Arsim Ejupi.

Në këtë botim gjithë materia shtjellohet në disa kaptina dhe shumë pika trajtimi. Botimi nis me definimin dhe zhvillimin e gjeo­po­litikës si disiplinë shkencore, rolin e saj në kuadër të sistemit të dijeve dhe të shkencave, pastaj me gjeopolitikën në kërkim të identitetit, zhvi­lli­min e mendimit gjeopolitik, gjeopolitikën nga stigmatizimi te reha­bi­litimi, gjeopolitikën nga shkenca raciste, e instrumentalizuar nga regji­mi nacist i Hitlerit, te kthyerja e “dinjitetit” shkencor të saj, sikundër edhe shqyrtimin e relacioneve midis gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë etj. Një nga problemet shumë komplekse që zë vend në këtë botim janë edhe gjeopolitika, gjeohapësira, kufijtë dhe konfliktet territoriale në botë (shembujt e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve, çfarë janë India dhe Pakistani rreth Kashmirit, konflikti arabo-izraelit, problemet terri­toriale të Kinës me fqinjët, agresioni rus i paprovokuar dhe i paju­sti­fikuar ndaj Ukrainës, që është duke u zhvilluar në terren para syve të gjithë botës, duke e ndërruar pasqyrën gjeopolitike të gjithë botës etj.). Kaptinat qendrore që zënë vend të merituar në këtë botim janë politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe tro­jeve të tjera etnike shqiptare, si dhe Ballkani si “fuçi baruti” dhe paaftësia e “Kontinentit Plak” për zgjidhjen e problemeve të rajonit.

Çështja e kufijve trajtohet në aspektin teorik dhe në hapësirat kon­krete, sikurse është p.sh. kufiri midis Kosovës dhe vendeve fqinje, në veçanti me Serbinë, përfshirë shkëmbimin e territoreve midis saj dhe Serbisë si një qasje e dëmshme për Kosovën dhe Luginën e Preshevës, debatet rreth procesit të demarkimit të kufirit midis Kosovës Malit të Zi, pastaj instrumentalizimi i shkencës dhe vënia e saj në shër­bim të qarqeve politike dhe parapolitike me qëllim që ato të shndërrohen në kauza politike në kuadër të luftës për pushtet të individëve dhe grupacioneve politike shqiptare të Kosovës etj. Tema e demarkacionit nisi dhe mbeti një kauzë e rrejshme dhe kufiri Kosovë – Mali i Zi sot e gjithë ditën mbeti aty ku ishte vijëzuar para 15 shkurtit 1947. Pasi erdhën në pushtet mash­truesit e votuan Marrëveshjen me Malin e Zi (2018) pa ia hequr asnjë presje tekstit të Marrëveshjes së mëparshme (2015). Çmimin e paguan qyte­tarët e Kosovës: mbetën të izoluar në lëvizjen e lirë në hapësirën e BE-së, në vend që Kosova të merrte liberalizimin në vitin 2016, kur ishte në paketë me Gjeorgjinë dhe Ukrainën! Liberalizimi faktik i qytetarëve të Kosovës ndodhi vetëm më 1 janar 2024, ndërkaq përparësitë dhe të metat tek i presim!

Tema në vete që trajtohen në këtë libër studimor janë demo­poli­tika dhe gjeopolitika; Kosova në rrjedhat gjeopolitike dhe gjeopopu­llative vështruar në prizmin historik dhe etnik; konteksti i ndërlikuar i një lufte mirë të përgatitur përmes të ashtuquajturit “Front i Jugut” në fillim të viteve të 90-ta; pastaj migrimet e jashtme dhe konteksti gjeo­hapësinor dhe gjeopolitik etj. Një pjesë e librit i kushtohet ujit si burim i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, si dhe bashkëpunimit ndërkufitar të Luginës së Preshevës (përparësitë dhe problemet gjeopolitike). Në fund jepen pjesë të zgjedhura të disa dokumenteve, në bazë të të cilave mund të kuptohen rikonfigurimi dhe ristrukturimi gjeopolitik i hapësirës ballkanike, europiane dhe botërore, si dhe një pasqyrë e literaturës e burimeve, një rezyme në anglisht dhe indeksi i emrave. Botimi ka 569 faqe.