Panairi i 5-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor u çel sot në Tiranë, duke shënuar nisjen e tri ditëve të dedikuara librit dhe dijes shkencore, në datat 22–24 prill.
Ky aktivitet i rëndësishëm organizohet si një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
I kthyer tashmë në traditë, edhe në këtë edicion të pestë, panairi mbledh së bashku botime shkencore, autorë, ente botuese, universitete, institute dhe qendra kërkimore nga e gjithë hapësira shqiptare, duke krijuar një platformë të rëndësishme për promovimin e librit akademik dhe afrimin e tij me lexuesin.
Në ceremoninë e hapjes zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Vasil Tole në fjalën e tij theksoi se tashmë është bërë traditë që zhvillimi i këtij panairi të kulmojë me një ditë të rëndësishme për autorët dhe botuesit, Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit. Ai e cilësoi këtë manifestim si më të madhin e deritanishëm në këtë fushë të veçantë botimesh, duke nënvizuar se panairi nuk është vetëm një pasqyrë e librit shkencor apo një festë e botimeve me treg të vështirë, por edhe një moment reflektimi mbi rolin e shkencës dhe të shkencëtarëve në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Sipas tij, ky organizim i jep vëmendjen e merituar figurës së kërkuesit shkencor dhe produktit të tij, duke përfshirë botimet, projektet dhe arritjet e tjera.
Akad. Tole theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së aksesit të botimeve akademike dhe shkencore për publikun, duke veçuar rolin e bibliotekave dhe të publikimeve digjitale. Në këtë kuadër, ai njoftoi edhe një zhvillim të rëndësishëm: përurimin e shtypshkronjës digjitale dhe entit botues “Akademia”, të mundësuar falë mbështetjes financiare të TIKA-s. Duke shprehur mirënjohje për këtë bashkëpunim, ai vlerësoi kontributin e TIKA-s dhe praninë e përfaqësuesve të saj si një dëshmi të partneritetit të suksesshëm.
Në fjalën e saj, kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Justina Shiroka-Pula, e cilësoi panairin si një traditë tashmë të konsoliduar, që përfaqëson më shumë se një ekspozitë botimesh: një dëshmi të vitalitetit të mendimit shkencor shqiptar, një urë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe një hapësirë ku dijet, idetë dhe kërkimi shkencor bashkohen përtej kufijve administrativë.
Ajo theksoi se, në një kohë sfidash globale, roli i shkencës dhe dijes bëhet edhe më thelbësor, ndërsa promovimi i librit akademik përbën një investim strategjik për të ardhmen.
Në ceremoninë e hapjes mbajtën fjalën e tyre edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Arta Marku, zëvendëspresidenti i TIKA-s, z. Yahya Coşkun, si dhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Barış Ceyhun Erciyes.
Znj. Arta Marku u shpreh se ky panair nuk është thjesht një mjedis i dijes, por një hapësirë që evidenton punën e studiuesve, e cila shpesh mbetet larg vëmendjes publike. Ajo e krahasoi kontributin e tyre me themelet që mbajnë në këmbë struktura të mëdha, duke theksuar rëndësinë e padukshme, por thelbësore të kërkimit shkencor.
Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i TIKA-s, z. Yahya Coşkun, theksoi se institucioni që ai përfaqëson, i themeluar në vitin 1992, ka realizuar rreth 800 projekte në Shqipëri, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave. Ai vlerësoi prodhimin e lartë shkencor dhe shprehu dëshirën që ky prodhim të vijojë të rritet.
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Barış Ceyhun Erciyes, u shpreh i kënaqur për pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe në përurimin e shtypshkronjës “Akademia”. Ai vlerësoi kontributin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që prej themelimit të saj në vitin 1972, në zhvillimin e kërkimit shkencor, rritjen e kapaciteteve intelektuale dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke shprehur bindjen se ky kontribut do të vijojë të forcohet edhe më tej.
Në ditën e parë të panairit u bë edhe përurimi i Shtypshkronjës “Akademia”, një hap i rëndësishëm në forcimin e infrastrukturës botuese akademike dhe shkencore në hapësirën mbarëkombëtare. Kjo shtypshkronjë synon të shërbejë si një mbështetje e rëndësishme për prodhimin dhe shpërndarjen e botimeve shkencore dhe akademike.
Gjatë tri ditëve të zhvillimit, panairi do të ofrojë ekspozimin e botimeve në stenda të dedikuara për institucionet pjesëmarrëse, si dhe një sërë aktivitetesh promovuese përmes prezantimit të botimeve të reja dhe diskutimeve shkencore.






