Vdiq anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës Ruzhdi Pllana
Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot më 20 shkurt 2015 pas një sëmundjeje të shkurtër, vdiq në Prishtinë anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës Ruzhdi Pllana, njëri ndër hidrologët dhe klimatologët më të njohur shqiptar. Vdekja e Ruzhdi Pllanës është humbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, për Akademinë dhe për shkencën shqiptare.
Ruzhdi Pllana lindi më 1940 në Dobërllukë. Mësimin fillor e kreu në Smrekovnicë dhe Vushtrri, kurse të mesëm, shkollën normale, në Prishtinë. Studimet universitare në gjeografi i përfundoi më 1966 në Universitetin e Novi Sadit. Si student i dalluar i Universitetit të Novi Sadit më 1964 kreu kursin federativ për speleologji dhe gjatë studimeve u përfshi në të gjitha projektet kërkimore speologjike të profesorit të tij. Studimet pasuniversitare i përfundoi më 1973 në Universitetin e Zagrebit, kurse disertacionin e doktoratës në udhëheqjen e profesorëve të njohur të Universitetit të Zagrebit e mbrojti më 1977 në Universitetin e Prishtinës.
Ruzhdi Pllana pas përfundimit të Normales punoi si mësues në Smrekovnicë, e pas përfundimit të fakultetit punoi profesor gjeografie në Normalen e Mitrovicës. Më 1971 zgjidhet asistent në Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, e më 1974 ligjërues, docent më 1978 dhe më 1983 profesor inordinar, kurse më 1994 profesor ordinar. Për specializim dhe realizim të projekteve në fushën e hidrologjisë qëndroi në Institutet e njohura në Tiranë, dhe Bërno – Çekosllovaki, në Universitetin Shtetëror të Moskës – MGU “Lomonosov”, në Britani të Madhe, Holandë e Poloni. Ishte prodekan për mësim dhe shef i Departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Prishtinës. Kryetar i Shoqatës së Gjeografëve të Kosovës. Në vitin 2012 është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Ruzhdi Pllana krahas punës së profesorit botoi edhe shumë punime shkencore në fushë të hidrologjisë dhe klimatologjisë.
Varrimi i të ndjerit bëhet në Prishtinë nesër, më 21 shkurt 2015, në orën 13:00. Mbledhja komemorative mbahet në orën 11:00, ndërsa homazhet në nderim të akademik Ruzhdi Pllanës do të bëhen deri në orën 12:00, nesër në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Sekretarja e Akademisë
Lendita Pula