Sot, me 12 shkurt 2026, nё mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve tё Kosovës (ASHAK), u zhvillua takim pune me autorët e përzgjedhur për hartimin e artikujve të fushës së Inxhinierive, Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, në kuadër të projektit madhor të Enciklopedisë Shqiptare. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në koordinimin e procesit të shkrimit dhe standardizimit të lëndës enciklopedike.
Takimin e hapi akademik Isuf Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë monumentale të këtij projekti dhe nevojën për një angazhim maksimal profesional nga ana e autorëve. Në vijim, akademik Fejzullah Krasniqi dhe anëtari korrespondent Enver Hamiti bënë një prezantim të hollësishëm mbi rrjedhën e deritanishme të punës, duke u ndalur në konsolidimin e fjalësit të njësuar dhe harmonizimin e zërave ndërmjet fushave përkatëse.
Gjatë takimit, fokus i veçantë iu kushtua sfidave metodologjike dhe shkencore që paraqet përpilimi i zërave për personalitete. Pjesëmarrësit diskutuan mbi domosdoshmërinë e respektimit të kritereve të objektivitetit, neutralitetit dhe saktësisë biografike, nё pёrputhje me “Udhëzuesin për Hartimin e Teksteve”. U nënvizua se trajtimi i personaliteteve kërkon një pёrfaqёsim të kujdesshëm mes arritjeve akademike dhe kontributit tё kohёs, duke shmangur vlerësimet subjektive dhe duke ruajtur stilin dëftor e konciz të enciklopedisë.