Ndërroi jetë shkrimtari Ismail Kadare, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11, në ambientet e Akademisë mbahet mbledhje komemorative në respekt të veprës së Kadaresë
Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës.
Përveç si shkrimtar, Ismail Kadare ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe. Lindi në Gjirokastër, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe letërsi botërore në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.
Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) solli te lexuesi ringjalljen e baladave të hershme shqiptare, ndërkaq “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste. Romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”, ndërsa nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajton temën e konfliktit me kinezët. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist. Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.
Ndërkaq, letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 1991 e zgjodhi Kadarenë anëtar të jashtëm të saj, për kontributin e çmuar në fushën e letërsisë.
Me këtë rast Akademia iu shpreh ngushëllime të thella familjes Kadare, shkrimtarëve, miqve të shumtë dhe institucioneve kulturore dhe shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë.