Ndahet nga jeta akademik Emin Riza

Sot morëm kumtin e zi për ndarjen nga jeta të intelektualit, studiuesit të shquar të trashëgimisë kulturore, në mënyrë të veçantë të arkitekturës popullore shqiptare, veprimtarit të jashtëzakonshëm në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore akademik Emin Riza, anëtar emeritus i ASHSH-së dhe anëtar i jashtëm i ASHAK-ut.

I lindur në Korçë më 1937, i biri i gjuhëtarit të shquar Selman Riza nga Gjakova, Emin Riza shkollimin e rregullt fillor dhe të mesëm i bëri në Tiranë. Studimet e larta i mbaroi në Degën e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në 1962. Gjatë gjithë jetës së tij të punës veproi në Institutin e Monumenteve. Në vitet 1993-1997 ka qenë Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akademik Emin Riza në gjithë shekullin e tij të punës ka vepruar në fushën e restaurimit, të mbrojtjes e rivitalizimit të arkitekturës tradicionale në të gjitha hapësirat shqiptare, duke u bërë kështu një nga emrat më të shquar të kësaj fushe studimesh. Botoi qindra artikuj studimorë brenda vendit dhe nëpër revistat e specializuara ndërkombëtare. I shquar në punën e tij studimore, ishte kryeredaktor i revistës së specializuar Monumentet, ndërsa për një kohë dhe kryeredaktor i Studia albanica. Ishte specializuar sidomos në fushën e restaurimit dhe studimit të arkitekturës së qyteteve, për çka shkroi një duzinë monografish, ndër të cilat shquhen studimet e tij për arkitekturën tradicionale të Tiranës, të Beratit, të Shkodrës, të Korçës, të Kosovës, të Gjakovës, të Prizrenit, të Gjirokastrës, të Krujës, etj. Ishte nismëtar i hartimit të Ligjit për trashëgiminë kulturore në Shqipëri, e pastaj edhe në Kosovë, ku veproi për një kohë pas çlirimit.

Angazhime të veçanta ka shfaqur në punën e grupit që bëri gati dosjen e UNESCO-s për Gjirokastrën dhe Beratin. Ka bërë emër ndërkombëtarisht të njohur në fushën e studimit dhe restaurimit të monumenteve në hapësirat shqiptare dhe në përgjithësi, për çka veproi gjatë si ekspert i njohur i UNESCO-s.

Në Kosovë ka lënë dy vepra me vlerë të madhe shkencore, monografinë Banesa qytetare kosovare e shek.. XVIII-XIX, ASHAK 2006, bashkë me Njazi Halitin dhe Arkitektura popullore e Gjakovës, ASHAK 2017.

Monografitë e tij të shumta për arkitekturën e qyteteve shqiptare janë punuar me metodologji e mbështetje në kritere e prosede rigoroze shkencore. Monumentet, arkitekturën e qyteteve dhe arkitekturën popullore Emin Riza i vështronte në një kontekst më të gjerë funksional në raport me rrethanat shoqërore të kohës kur janë krijuar.

Për merita të jashtëzakonshme në fushën e studimit, të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar nderi” i Gjirokastrës dhe “Qytetar nderi” i Beratit.

Akademik Emin Riza është shquar si personalitet posaçërisht bashkëpunues dhe i afërt me kolegë e studentë dhe ka qenë aktiv në fushën e organizimeve të veprimtarive shkencore, ndër të cilat dhe i Konferencës për Kosovën në Tiranë më 1993.

Vepra e tij shkencore ka shënuar një shkallë të lartë të arritjeve të shkencës shqiptare në këto fusha. Kujtimin për të do ta kenë të përjetshëm brezat me të cilat punoi.

Kryetarja e ASHAK-ut
Akademike Justina Shiroka-Pula