Mesazh urimi për kryetarin dhe zëvendëskryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Me rastin e rizgjedhjes në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, i dërgoi një mesazh urimi akademik Skënder Gjinushit, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përkatësisht akademik Vasil Toles, nënkryetar i kësaj Akademie. Në mesazh thuhet:

Të nderuar miq,

Me kënaqësi e morëm lajmin për zgjedhjen tuaj të sërishme në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Na lejoni që me këtë rast të shprehim urimet më të mira dhe dëshirat tona të sinqerta për punë të mbarë, përparim dhe zhvillim të suksesshëm të institucionit tuaj më të rëndësishëm të shkencës dhe të dijes në Republikën e Shqipërisë.

Ju sjellim në vëmendje se në periudhën e shkuar të qeverisjes suaj me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kemi arritur rezultate të shkëlqyera të bashkëpunimit me Akademinë tonë në shumë drejtime, përfshirë edhe fillimin e projektit të përbashkët të Enciklopedisë shqiptare. Shpreh bindjen time të thellë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke u zgjeruar dhe duke u thelluar në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në të mirë të shkencës dhe të dijes në të dy vendet tona.

Me ndjenja të thella miqësie dhe me respekt,

Akademik Mehmet Kraja