Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet ASHAK-ut dhe Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL)

Sot, në shënim të 27-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave ushtarake dhe policore të regjimit të Serbisë, një ndër ngjarjet më vendimtare në historinë moderne të Kosovës, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim institucional ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL).
Ky përvjetor përkujton ndërhyrjen e Aleancës Veri-Atlantike, e cila ndaloi spastrimin etnik dhe dhunën sistematike ndaj popullatës civile në Kosovë, duke hapur rrugën drejt lirisë dhe më pas pavarësisë së vendit. Në këtë kontekst historik dhe simbolik, nënshkrimi i këtij Memorandumi përfaqëson një angazhim të ri institucional për ruajtjen e së vërtetës historike dhe forcimin e kërkimit shkencor mbi krimet e luftës.
Memorandumi i nënshkruar ndërmjet dy institucioneve më të rëndësishme në fushën e shkencës dhe dokumentimit të krimeve të luftës synon të vendosë një kornizë të qëndrueshme bashkëpunimi në fusha të tilla si: hulumtimi shkencor, dokumentimi dhe analizimi i krimeve të luftës, organizimi i aktiviteteve akademike dhe botimi i studimeve të përbashkëta.
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, palët do të kontribuojnë në avancimin e drejtësisë tranzicionale, në forcimin e kujtesës kolektive dhe në kundërshtimin e çdo përpjekjeje për relativizim apo rishkrim të historisë së luftës në Kosovë.
Memorandumi u nënshkrua nga Kryetarja e ASHAK, Akademike Justina Shiroka-Pula, dhe Drejtori i IKKL, z. Atdhe Hetemi.
Ky akt përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe konsolidimit të përpjekjeve për të dokumentuar, studiuar dhe prezantuar të vërtetën mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, në përputhje me standardet më të larta shkencore dhe ndërkombëtare.