Mbyll punimet konferenca shkencore ndërkombëtare “Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht”

Të nderuar miq dhe kolegë,

është kënaqësi që pas dy ditësh pune kaq intensive ta mbyll këtë konferencë kaq interesante dhe në një nivel kështu të lartë shkencor. Para dy vjetësh patëm organizuar në ASHAK një konferencë për studimet albanistike në Amerikë dhe, me gjithë dyshimet e fillimit, doli se kishte shumë interes, kështu që kon­ferenca doli me sukses dhe në fund patëm dhe një botim të bukur me punimet e saj. Pastaj vendosëm që bashkë me Akademinë e Shqipërisë të organizonim këtë konferencë për studimet albanistike në botën ku fli­tet gjermanisht. Këtë herë përgatitjet nisën pak më herët dhe u nisën njoftimet. Synonim të bënim një pas­qyrë të këtyre studimeve, gjithë duke problematizuar pika të veçanta dhe në fund të nxirrnim edhe ndo­një përfundim.

Programi i konferencës qe shumë i begatshëm dhe kumtesat ishin në një nivel të lartë shkencor, me shumë informata dhe analiza të reja. Të gjithë bashkë kemi mësuar gjëra të reja nga kjo konferencë. Në ditën e pa­rë patëm nderin të dëgjonim ligjërata nga disa prej autoriteteve në fushat tona që vinin nga vende të ndry­shme: Austri, Gjermani, Itali, Zvicër, Shqipëri, Kosovë. Pastaj patëm rastin të dëgjonim një seancë të tërë për studimet në botën gjermanishtfolëse për arbëreshët, të Italisë dhe të Greqisë, po ashtu me raportues shu­më të cilësuar nga Italia, nga Zvicra, nga Gjermania, nga Kosova. Në vijim pati shumë kumtesa me interes nga studiues të brezave të ndryshëm dhe na gëzon fakti se midis nesh kishte një numër të mirë studiuesish të rinj me cilësi të larta hulumtuese, me formim e integritet shkencor dhe ata po punojnë barabar me brezin tjetër jo aq të ri.

Në konferencë u mbajtën 7 seanca me gjithsej 55 kumtesa nga vende të ndryshme (Gjermani, Austri, Zvi­cër, Itali, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali  i Zi, Greqi, Hungari). U shqyrtuan çë­shtje nga më të ndry­sh­met të studimeve albanistike në botën gjermanishtfolëse, duke filluar nga çë­sht­ja e për­caktimit të vendit të gjuhës shqipe brenda gjuhëve indoeuropiane, prejardhja dhe his­to­ria e saj, studimet për strukturën e saj, për mësimdhënien dhe gramatikat e tekstet shkollore mësimore, për studimet për le­tër­sinë shqipe e çështje të tjera nga këto komplekse veprimtarish. Pati shu­më interesim dhe për kumtesat në fushën e historisë dhe të arkeologjisë, që ishin më të pakta në numër.

Studimet albanistike në botën gjermanishtfolëse kanë tashmë një traditë treshekullore dhe në periu­dha të caktuara kanë përjetuar zhvillime të rëndësishme. Do të kujtojmë me këtë rast emrat e më­dhenj si F. Bopp, G. Meyer, H. Pedersen, N. Jokl, G. Weigand, M. Lambertz, G. Stadtmüller, O. Buchholz, e shumë të tjerë, që tashmë i takojnë historisë së këtyre studimeve. Po kaq me rëndësi ish­te prania e një numri jo të vogël autoritetesh në këto dije, qoftë nga bota gjermanishtfolëse, apo nga bota shqiptare. Në këtë mënyrë të gjithë së bashku, gjithë duke shënuar rezultatet që janë arritur në këto dije, u angazhuam dhe në një dialog konstruktiv dhe krijues për çështje të ndryshme. Ishte konstatim i përgjithshëm se rezultatet kaq të më­dha të albanistikës në gjuhën gjermane, ashtu si dhe studimet shqiptare në këto fusha, na obligojnë të angazhohemi edhe më shumë në shqyrtime e ndër­marrje të përbashkëta, në mënyrë që të evitohen mun­gesat eventuale që mund të dalin nga komu­nikimi i pamjaftueshëm. U konstatua me kënaqësi se tashmë ke­mi një brez që po vjen me njohje jo vetëm të studimeve albanistike, por edhe me përgatitje për gjuhët, si­domos për gjermanishten, çka kri­jon rrethana më të përshtatshme për një komunikim më të ngjeshur brenda komunitetit alba­nistik.

Njëherësh mund të themi se ishte mendim i përgjithshëm që, për ta ruajtur dhe ushqyer më tej këtë tra­ditë të madhe albanistike, është e nevojshme të ndërmerren hapa që studimet albanistike në botën gjer­manisht­folëse të organizohen institucionalisht, në mënyrë që t’u dalin përpara sfidave që ka nxje­rrë gjendja që kemi tash në botën shqiptare me një gjuhë të veçantë dhe kulturë të zhvilluar brenda saj, një gjuhë ndër 20 më të përhapurat në Europë, por njëherësh ndër më pak të studiuarat, me një bashkësi kombëtare që synon integrimet europiane si tërësi, me shtete ku kjo gjuhë është zyr­tare, me diasporë të fuqishme në vendet gjermanishtfolëse e me prani gjithnjë e më të madhe në relatat ndërkombëtare. Në këtë drejtim ka vend për angazhim për të gjithë ne si studiues, por edhe për institucionet shtetërore e shoqërore përkatëse.

Konferenca i mbaroi punimet duke shprehur dhe një herë nevojën dhe interesin e shkencës për një ko­munikim më të ngjeshur midis studiuesve në fushat e albanistikës në vendet e ndryshme gjer­manisht­fo­lëse me studiuesit në botën ku flitet shqip.

Akademik Rexhep Ismajli
Prishtinë, 27 tetor 2017