Në ASHAK u mbajt mbledhje përkujtimore për Ismail Kadarenë

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me praninë e anëtarëve të Akademisë dhe të pjesëmarrësve të tjerë, më datë 3 korrik 2024 u mbajt mbledhje përkujtimore kushtuar veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë, anëtar i jashtëm i ASHAK.

Për jetën dhe veprën e Ismail Kadaresë folën akademikët Mehmet Kraja, Sabri Hamiti dhe Rexhep Ismajli. Në fjalët e tyre ata tërhoqën vëmendjen për vlerat e qëndrueshme të veps së Kadaresë dhe për raportet e tij të veçanta me Kosovën. Mbështetja e Kadaresë për Kosovën ka qenë e jashtëzakonshme, e vazhdueshme, substanciale. Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës. Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, por edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët, u tha me këtë rast.