Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) nën përkujdesjen e Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe atij të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, në Prishtinë organizoi simpoziumin shkencor njëditor “Energjia e pastër dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, i cili u mbajt me datën 14 shtator 2022, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe ekspertëve nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Zvicra dhe Britania e Madhe. Këshillin organizativ të këtij Simpoziumi e përbënin: akad. Fejzullah Krasniqi, akad, Jorgaq Kaçani, akad. Isuf Krasniqi, akad. Justina Pula, anëtar korrespod. Fetah Podvorica, akad. Ilirjan Malollari dhe anëtar korrespod. Myzafere Limani.
Akademik Fejzullah Krasniqi, kryetar i këshillit organizues shkencor, në fjalën e hapjes dha informacione të përgjithshme për qëllimin e Simpoziumit. Më tutje mbajtën fjalime kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja, akademik Jorgaq Kaçani në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Ministrja e Ekonomisë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dr. Artane Rizvanolli.
Në simpozium u paraqiten gjithsej 15 kumtesa. Në seancën e parë kumtesën e tij e paraqiti prof. Neven Duić nga Universiteti i Zagrebit (Kroaci): “Si të bëjmë një transicion të shpejtë të energjisë me sistemet inteligjente”, në të cilën bëhej fjalë për tranzicionin energjetik në vende të ndryshme të botës, duke dshenjuar modelet e suksesshme të integrimit të burimeve të ripërtritshme në sisteme të mençura të energjisë. Më tutje prof. Amor Abdelkader, profesor në Universitetin e Bournemouth të Britanisë së Madhe kishte prezantimin me titull “Bateritë metalike alkaline për ruajtjen e energjisë së nesërme: përtej sistemeve kimike të litiumit”. Ai tregoi për modelet e reja të baterive alkaline që përmbajnë jone të metaleve alkaline, të cilat kanë performanca pothuajse të njëjta me bateritë e litiumit dhe që është metal që nuk është shumë i pranishëm në kore të tokës. Më pas prezantimin me titull “Rruga drejt dekarbonizimit të sektorit energjetik” e mbajti prof. Adhurim Haxhimusa nga Universiteti i Grisons në Zvicër. Ai paraqiti të dhëna për mënyrat e transicionit energjetik në vende të ndryshme në BE dhe sfidat me të cilat përballet Kosova në këtë proces.
Në seancën e dytë u paraqiten prezantimet: “Analiza e sistemeve të kapjes së CO2 pas djegies përmes simulimit të procesit duke përdorur Aspen Hysys” nga akademik Ilirjan Malollari, pastaj “Energjia dhe ndryshimet klimatike” nga prof. Majlinda Daci, “Analiza energjetike dhe mjedisore e përdorimit aktual të ngrohjes dhe rekomandime për sistemet më të përshtatshme të ngrohjes energjetike dhe mjedisore në qytetin e Korçës” nga prof. Ramadan Alushaj, “Efiçienca energjetike e prodhimit të energjisë mekanike nga termocentralet” nga akademik Fejzullah Krasniqi, “Sfidat e tranzicionit energjek të Kosovës përmes burimeve të ripërtritshme” nga prof. ass. Arben Gjukaj dhe “Strategjitë e zhvillimit në sektorët energjetikë të Kosovës drejt një sistemi të qëndrueshëm energjetik” nga prof. ass. Drilon Meha.
Në seancën e tretë u paraqiten prezantimet e tyre: Msc. Andi Hida, Msc. Arlinda Bresa, Msc. Elio Voshtina, Msc. Bukurije Hoxha, Msc. Blerina Bylykbashi dhe prof. ass. Bahri Prebreza. Pas secilit prezantim u zhvilluan diskutime të frytshme për temat e shtjelluara në kuadër të tranzicionit energjetik.
Në fund të seancave anëtari korrespodent Fetah Podvorica paraqiti konkluzionet e simpoziumit.