Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet ASHAK-ut dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (BKK)

Sot më 10.02.2026 në ambientet e ASHAK-ut është nënshkruar Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (BKK). Marrëveshjen e nënshkruan akademik Fejzullah Krasniqi, nënkryetar i ASHAK-ut dhe Zonja Blerina Rogova-Gaxha, drejtoreshë e BKK-së. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe znj. Justina Shiroka-Pula, kryetare e ASHAK-ut, prania e së cilës është dëshmi e qartë e përkushtimit të Akademisë për forcimin e lidhjeve me institucionet kyçe të dijes dhe kulturës në vend. Kjo marrëveshje synon krijimin e një kornize të qartë bashkëpunimi, e cila do të mundësojë qasje më të lehtë, menaxhim më efikas dhe shpërndarje më të gjerë të botimeve dhe rezultateve të punës shkencore që prodhohen në ASHAK. Një komponent i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është edhe përdorimi i platformës KOHA, të cilën BKK-ja e vë në dispozicion të rrjetit bibliotekar të Kosovës e cila do t’i mundësojë ASHAK-ut azhurnimin sistematik të bibliografive të anëtarëve të saj dhe rritjen e dukshmërisë së veprimtarisë akademike.

Besojmë se kjo marrëveshje përbën një bazë solide për bashkëpunim afatgjatë, shkëmbim të njohurive dhe përvojave, si dhe për arritjen e rezultateve konkrete që i shërbejnë zhvillimit shkencor dhe kulturor të Kosovës.