Marrëveshja e Bashkëpunimit Institucional ndërmjet ASHAK-ut dhe Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”

Prishtinë, 20 maj 2026 – Sot, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), u nënshkrua zyrtarisht Marrëveshja e Bashkëpunimit Institucional ndërmjet ASHAK-ut dhe Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. Akti i nënshkrimit u realizua nga Kryetarja e ASHAK-ut, akademike Justina Shiroka Pula, dhe Rektori i Universitetit të Gjakovës, Prof. Drilon Bunjaku.

Kjo marrëveshje shënon një hap me rëndësi drejt institucionalizimit dhe bashkërendimit të potencialeve shkencore, akademike dhe hulumtuese midis dy institucioneve të larta të dijes. Protokolli i dakorduar synon nxitjen e partneriteteve afatgjata përmes një platforme të përbashkët veprimi, e cila do të përfshijë realizimin e projekteve kërkimore me karakter ndërdisiplinor, bashkëorganizimin e konferencave shkencore, simpoziumeve, tryezave të rrumbullakëta dhe tribunave publike, si dhe shkëmbimin e ekspertizës profesionale e qasjen e ndërsjellë në burimet bibliotekare.

Gjatë ceremonisë, udhëheqësit e të dyja institucioneve shprehën zotimin e tyre të plotë për jetësimin e kësaj marrëveshjeje, duke nënvizuar se ndërlidhja e kapaciteteve elitare të ASHAK-ut me potencialin akademik të Universitetit të Gjakovës përbën një kontribut të çmuar për ngritjen e cilësisë së kërkimit shkencor në shkallë vendi dhe hap perspektiva të reja për zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit të lartë.