Ligjeratë e Akademik Stefan Vodenicharov, D. sc., Kryetar i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë

Të premten, më 25 tetor 2013, në orën 11:00, në Amfiteatrin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, mbajti ligjëratë Kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, Akademik Stefan Vodenicharov, D. sc.

Të pranishëm ishin anëtarët e ASHAK-ut, sekretarja e përgjithshme shkencore e BAS prof. Evdokia Pasheva D. sc., ambasadori i Bullgarisë z. Bobi Bobev dhe të ftuar të tjerë.

*

Fjala e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës akademik Hivzi Islamit me rastin e vizitës së Delegacionit të Akademisë Bullgare të Shkencave, të kryesuar nga kryetari akademik Stefan Vodeniçarov

Të nderuar kolegë dhe miq,
Anëtarë të Akademisë dhe profesorë të Universitetit,
I nderuari ambasador i R. së Bullgarisë në R. e Kosovës z. Bobi Bobev,
Zonja dhe zotërinj,

Më 13 qershor 2012, në këtë godinë, u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademisë Bullgare të Shkencave. Pas disa kontakteve dhe shkëmbimit të disa kuadrove shkencore, në Akademinë Bullgare të Shkencave qëndroi delegacioni i Akademisë sonë me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit. Sot në Akademinë tonë kemi një mysafir të veçantë, kryetarin e Akademisë Bullgare të Shkencav, akademikun Stefan Vodeniçarov, i shoqëruar nga sekretarja shkencore, profesoresha Evdokia Pesheva.

Në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i përshëndes përzemërsisht dhe u uroj mirëseardhje.

Kryetari Vodeniçarov me këtë rast do të mbajë një ligjëratë.

Akademik Vodeniçarov është Doktor i Shkencave Teknike dhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Teknike të Universitetit të Sofjes. Në vitin 2004 ai u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, ndërsa në vitin 2012 anëtar i rregullt dhe mori titullin Akademik.

Në dhjetor të vitit 2012 akademik Vodenicharov u zgjodh kryetar i Akademisë Bullgare të Shkencave. Para kësaj ishte drejtor i Institutit të Shkencave të Metaleve, Pajisjeve dhe Teknologjive “Akademik Angel Balevski” në Qendrën e Hidro dhe Aerodinamikës. Për një periudhë të shkurtër ka qenë dhe ministër i Arsimit në Qeverinë e Bullgarisë.

Fushat e interesimit shkencor të akademikut Vodenicharov janë: mekanika e thyerjes së trupave të ngurtë; shkenca e materialeve dhe teknologjia e materialeve inxhinierike, si dhe metodat për monitorimin dhe testimin e materialeve, produkteve dhe pajisjeve.

Akademik Stefan Vodenicharov ka udhëhequr mbi 200 projekte të programeve të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, si dhe shumë projekte me Qeverinë Bullgare dhe organizatat e biznesit.

Në aktivitetet e tij përfshihen dhe angazhimet në organizmat kombëtare e ndërkombëtare, sikurse Këshilli për Arsim e Shkencë i Presidentit të Bullgarisë;  Komisioni për Sigurinë Bërthamore i Rregullatorit të Agjencisë Bërthamore;  Qendra e trajnimit të NPP “Kozloduj”; Këshilli ndërinstitucional i kompleksit ushtarako-industrial për gatishmërinë dhe mobilizimin e vendit tek Këshilli i Ministrave; vlerësues i Programeve III dhe IV në kuadër të BE-së; ekspert i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike; përfaqësues i Bullgarisë në operacionet e NATO-s.

Akademik Vodenicharov është laureat i çmimit “Drinov Marin” për kontribut të rëndësishëm në Akademinë Bullgare të  Shkencave; është i përfshirë në “Librin e Artë të Shpikësve” të Zyrës së Patentave dhe i nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Teknik i Varnës; ka marrë “medaljen e nderit” për merita  si shpikës nga Ministria e Ekonomisë, si dhe pllaketën për merita nga Ministria e Mbrojtjes. Ai është gjithashtu fitues i Çmimit të Madh të Dhomës Ekonomike Bullgare për krijimin e një serie produktesh të teknologjisë së  lartë.

Është gjithashtu anëtar i Shoqërisë  Amerikane të Metalurgjisë, i Institutit Amerikan të Komunikacionit Ajror dhe Astronautik, i Shoqërisë  Amerikane për Testimin e Materialeve dhe Asociacionit Europian të Hapësirës ​​Ajrore dhe Industrisë së Mbrojtjes.

Akademia Bullgare e Shkencave, sot me 42 institute shkencore dhe shumë qendra hulumtuese profesionale, ka një histori 144 vjeçare dhe është ndër institucionet më të vjetra shkencore në Evropë, që ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e shkencës dhe në afirmimin kulturor të popullit bullgar. Ajo është themeluar në vitin 1869, nëntë vjet para formimit të Shtetit Bullgar, tetë vjet pas themelimit në Zagreb të JAZU-së (Jugoslavenska Akademija znanosti i umjetnosti) nga Josip Juraj Strossmayer dhe Sabori Kroat, dhe  3 vjet pas përpjekjes të kësaj të fundit për ta inkuadruar aty edhe Bullgarinë, me pretekst se kështu do të vihej nën një kulm gjithë shkenca dhe artet e sllavëve të jugut.

Për këtë histori dhe për rrugën e zhvillimit të kësaj Akademie do të flasë sot kryetari i saj, akademik Stefan Vodeniçarov.

E lus kryetarin Vodeniçarov ta marrë fjalën.

Predsedatel Vodenicharov, molja!