Ligjëratë e akademik Rexhep Ismajlit në Akademinë frënge

Akademik Rexhep Ismajli me ftesë të Académie des Inscriptions et Belles-Letters, me të cilën ASHAK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, më 4-7 maj 2017 qëndroi në Paris.

Ftesa nga Akademia frënge Akademik Rexhep Ismajlit iu bë për të mbajtur një ligjëratë për “Dinamikën e shqipes standarde nga vitet ’90 dhe perspektivat e zhvillimeve të saj”.

Para ligjëratës Akademik Rexhep Ismajli u prit nga Sekretari permanent Michel Zinc, ndërsa të pranishëm ishin edhe anëtarët Charles de Lamberterie – koparatist, armenolog i shquar, Jean-Pierre Sodini – arkeolog që ka marrë pjesë në hulumtime në Shqipëri dhe sekretari Hervé Danesi, me të cilët u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë dhe që të gjithë shfaqën kënaqësi për një mundësi të tillë. Në takim u kërkuan nisma dhe ndonjë propozim eventual, natyrisht, të drejtuara përmes përgjegjësve për harmonizimin e këtij bashkëpunimi – Jean-Pierre Sodini nga Akademia frënge dhe Muhamedin Kullashi nga ASHAK-u.

Ligjërata “Dinamika e shqipes standarde nga vitet ’90 dhe perspektivat e zhvillimeve të saj” /”La dynamique de l’albanais standard depuis les années 1990 et ses perspectives de développements futurs”/ u mbajt më 5 maj në orën 15:30 në Institut de France, Grande sale des seancës. http://www.aibl.fr/seances-et-manifestations/les-seances-du-vendredi/seances-2017/mai-2017/article/seance-du-5-mai?lang=fr

Seanca u kryesua nga tre anëtarë të Akademisë, një Kryesues, Sekretari permanent dhe një anëtar. Paraqitjen e bëri Sekretari permanent akademiku Michel Zinc dhe pastaj edhe anëtari i akademisë, gjuhëtari komparatist Charles de Lamberterie. Në seancë morën pjesë rreth 70-80 pjesëmarrës. Pas ligjëratës pati pyetje dhe interesim të shumë anëtarëve. Përshtypja e përgjithshme ishte shumë pozitive. Në fund u afruan më shumë anëtarë për t’u njohur. Ligjërata zgjati 30 minuta ekspozim dhe pastaj mbi 30-35 minuta diskutim, gjithsejtë pak më shumë se një orë.

Nga pyetjet që u shprehën publikisht mund të gjykohet se u interesonin zhvillimet dhe e ardhmja e shqipes standarde në fushën e leksikografisë, në fushën e përkthimeve, në letërsi të tjera. Binte në sy që kishte më shumë arkeologë që kishin njohuri për historinë dhe kulturën shqiptare dhe në fund ata patën dhe pyetje të tjera jashtë subjektit të ligjëratës.

Të gjithë diskutuesit shprehën kënaqësi dhe vlerësim si për ligjëratën ashtu edhe për bashkëpunimin me Akademinë tonë.