Ligjërata e akademik Arben Merkoçit

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ju fton në ligjëratën e akademik Arben Merkoçit me temën “Nanobiosenzorët si gjenerata e ardhshme e pajisjeve diagnostifikuese për shëndetin global (Nanobiosensors as the next generation of diagnostic devices for global health)”, e cila do të mbahet më 10 mars 2026 në orën 11:00, në sallën e Akademisë, në Prishtinë.

Profesor Arben Merkoçi është drejtor i Grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Spanjë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 2008 ndërsa në vitin 2023 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Europës me seli në Bruksel të Belgjikës. Akademik Arben Merkoçi, është zgjedhur në vitin 2025 përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si anëtar i Komitetit të Përhershëm për Politikat Shkencore të ALLEA-s (All European Academies), një nga strukturat më të rëndësishme të bashkëpunimit akademik në nivel evropian.
Akademik Merkoçi është drejtor dhe koordinator i njësisë së kërkimit shkencor Nanoalb, që e paraqet një rrjet regjional për nanoshkencat dhe naoteknologjinë.
Akad. Merkoçi është bashkë-kryeredaktor i “Biosensors and Bioelectronics”, revista më prestigjioze në fushën e biosensorëve që i kushtohet kërkimit shkencor, dizajnimit dhe përdorimit të biosenzorëve dhe bioelektronikës. Kjo revistë e ka faktorin e ndikimit 10.5.
Akad. Merkoçi ka botuar 370 artikuj në revista shkencore ndërkombëtare duke përfshirë revistat më me renome si ACS Nano, Chemical Reviews, Chemical Society Reviews, Angewandte Chemie, Journal of American Chemical Society etj., i ka rreth 30000 citime në platformën Scopus, indeksin e Hirsch e ka 87 dhe ka udhëhequr 45 teza doktorature. Ka drejtuar e koordinuar dhjetëra projekte kombëtare në Spanjë dhe në kuadër të projekteve të Bashkimit Europian në FP 7 dhe Horizon 2020 dhe laboratori i tij bën pjesë në rrjetin e disa laboratorëve kryesore në botë në fushën e nanobiosenzorëve. Ka shërbyer si anëtar i bordeve të vlerësimit të projekteve të Komunitetit Europian dhe agjencive të tjera ndërkombëtare duke përfshirë SHBA dhe vendet tjera. Ka mbajtur ligjërata plenare, tematike dhe të ftuara në mëse 220 kongrese të ndryshme. Për të dytin vit me radhë është zgjedhur shkencëtari numër një në Spanjë në lëminë e nanoteknologjisë. Është bashkëthemelues i dy kompanive spin-off : GraphenicaLab që merret me përdorim të grafenit dhe PaperDrop që merret me diagnostikën klinike.