Letër ngushëllimi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

I nderuar z. Kraja, të nderuar kolegë akademikë,

Mësuam me dhimbje për ndarjen nga jeta të akademikut, dijetetarit, profesorit Feriz Krasniqi.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë bashkohet në dhimbjen tuaj, të botës akademike në Kosovë, të bashkësisë intelektuale dhe të familjes së tij.

Vepra e tij kushtuar florës ekskursioniste dhe të bimësisë spontane-endemike të Kosovës ishte qëllimi shkencor i jetës së tij dhe një trashëgimi e vyer e dijes shqiptare, që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm. Në mënyrë të veçantë kjo vepër do të jetë gjithnjë një bashkëbisedues i vlefshëm për kolegët e tij në Shqipëri: biologë, botanistë, specialistë të fitoteknisë e të shkencave bujqësore në tërësinë e tyre.

Profesor Feriz Krasniqi do të mbahet mend gjithashtu për rolin e tij si drejtues i suksesshëm në Universitetin e Prishtinës dhe në institucione të tjera.

Ju lutemi përcillini familjes së tij dhe familjes shkencore të tij ngushëllimet tona.

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë