LEKSIKON – VENDBANIMET E KOSOVËS, I-II

Projekt i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut. Pas punës intensive të dhjetra ekspertëve të shkencave gjeohapësinore, sociologëve, urbanistëve, planerëve, ekonomistëve, demografëve, historianëve, etnologëve etj. në dy fazat e para të punës dolën nga shtypi në shtator të vitit 2018 Vëllimi I dhe në shtator të vitit 2019 Vëllimi II. Të dy vëllimet janë përuruar në mjediset e ASHAK-ut, në prani të bashkëpunëtorëve të projektit, anëtarëve të Akademisë, punonjësve të shkencës, të kulturës dhe të interesuarve të tjerë.

Botimet përmbajnë të dhëna, fakte dhe informata relevante nga terreni për dimensionin fizik-hapësinor, demografik, funksional, historik, kulturor, ekonomik, gjeopolitik, infrastrukturor, pastaj të dhëna për dhunën, krimet dhe dëmet materiale që i shkaktoi regjimi fashisoid e gjenocidal i Serbisë  etj. Pjesa tekstuale e botimeve përcillet me material ilustrues (hartat tematike, fotot për objekte të ndryshme gjeohapësinore, të trashëgimisë natyrore e kulturore, elementet fizionomike e funksionale, planet, skicat  etj.).

Vëllimi I përfshin 13 qendra urbane dhe 24 seli komunale, të mbarshtruara dhe sistemuara sipas madhësisë territoriale-demografike dhe rëndësisë funksionale në gjithsej 553 faqe, ndërsa Vëllimi II përfshin 737 vendbanime rurale (fshatra), të prezantuara sipas alfabetit, nga shkronja A-LL, në gjithsej 730 faqe. Vëllimi III nga shkronja M-ZH është në përgatitje e sipër dhe pritet të dalë nga shtypi në fillim të vitit 2020.

Botimet do të përmbushin një nevojë të kahershme për gjeoshkencat, shkencat sociale, institucionet shoqërore dhe opinionin e gjerë lexues dhe do të jenë një trashëgimi e rëndësishme për shkencën dhe kulturën tonë.

Botimet tashmë janë shpërndarë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, në librari dhe biblioteka dhe mund të blihen edhe në librarinë e Akademisë.