Kumtesë për zhvillimet në UP

Të zmbrapset arroganca e Këshillit Drejtues dhe e klaneve në UP

Kryesia dhe të gjithë anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës po i ndjekin me shqetësim zhvillimet në UP. Zgjedhja e Rektorit Zejnullahu, profesor me përvojë dhe dije për çështjet universitare na kishte dhënë një shpresë se, pas një periudhe jo të shkurtë veprimesh të pafrytshme për mbarëvajtjen e punëve në këtë vatër të arsimit dhe të shkencës, të dijes dhe të emancipimit të përgjithshëm të Kosovës dhe të shqiptarëve, gjërat po ktheheshin në drejtimin e duhur të lëvizjes së vendosur drejt avancimit të cilësisë dhe respektimit të ligjshmërisë. Praktikat e shkeljes së ligjshmërisë dhe të injorimit të kritereve profesionale-shkencore, si pasojë e ndërhyrjeve nga grupet politike apo parapolitike, nga vetë instancat politike, apo të grupeve të interesit dhe të profiterëve të ndryshëm, e kanë lënduar rëndë këtë themelatë. Në vend që të kishim mbështetje thelbësore për ndërmarrjet pozitive të Rektorit lidhur me stabilizimin e gjendjes, ne po përballemi me shkarkimin e tij si pasojë e një veprimi teknik të një grupi menaxherial, për më tepër, për një pjesë, të caktuar nga vetë Ministria, apo nën ndikim të drejtpërdrejtë të grupeve të interesit.
Të gjithë jemi dëshmitarë që Rektori Zejnullahu bëri përpjekje ta stabilizonte gjendjen në UP duke respektuar ligjshmërinë dhe profesionalizmin. Në ndërmarrjen e shqyrtimit dhe të evitimit të parregullsive dhe të problemeve të akumuluara për vite me radhë, nuk mund të ketë garanci se nuk do të bëhen edhe hapa të ngutshëm, por para orientimit të përgjithshëm për t’u vlerësuar, eventualitetet e tilla nuk mund ta arsyetojnë masën drastike të shkarkimit, i cili, siç po duket, është përgatitur gjatë nga brenda dhe nga jashtë UP-së. Interesi i Universitetit dhe i shoqërisë është më i madh se interesat e individëve, të klaneve dhe të grupeve. Prandaj, nga institucionet përkatëse të Republikës kërkojmë që ta zmbrapsin këtë vendim arbitrar të Këshillit Drejtues dhe t’i japin mbështetje Rektorit dhe menaxhmentit në rrugën për tejkalimin e situatës së tensionuar, të mospajtimeve të thella konceptuale midis menaxhmentit dhe grupeve të interesit dhe për reformimin e UP-së, gjithnjë në përputhje me ligjshmërinë dhe pavarësinë e institucionit, si dhe me përpjekjet për ngritjen e standardeve të cilësisë.

Prishtinë, 22.10.2015

Kryetari i Akademisë,
Akad. Hivzi ISLAMI

Kumtesë e ASHAK-ut