Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit me Akademinë e Malit të Zi

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Malit të Zi kanë nënshkruar Marrëveshjen dhe Protokollin për Bashkëpunim, të martën (7 maj 2019) në mjediset e Akademisë, në Prishtinë. Këto dy dokumente janë nënshkruar nga udhëheqësit e të dy institucioneve të larta shkencore, Kryetari i ASHAK-ut, akademik Nexhat Daci dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, akademik Dragan K. Vukçeviq. Me nënshkrimin e këtyre dokumenteve synohet rritja e bashkëpunimit dhe e bashkëveprimit në të gjitha fushat shkencore të interesit të përbashkët si dhe përcaktimi i fushave fundamentale të kërkimeve akademike, në të cilat palët janë të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen.

Udhëheqësit e të dy institucioneve janë zotuar të punojnë për zbatimin e pikave të kësaj Marrëveshje dhe të Protokollit për Bashkëpunim, të cilat janë dokumentet e para të këtij lloji të nënshkruara nga përfaqësuesit e këtyre dy akademive.