Në Prishtinë, më 11 prill 2018
Nr. ref.: 304
Më 10 prill 2018, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), u mbajt takimi me delegacionin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), në kuadër të zbatimit të Protokollit të bashkëpunimit në mes të dy akademive.
Delegacioni në përbërje: akademike Floresha Dado, kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike, akademik i asociuar Shaban Sinani, sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike dhe akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë në Tiranë, u prit nga akademik Jusuf Bajraktari, nënkryetar i Akademisë, anëtare korrespondente Justina Pula, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe anëtar korrespondent Frashër Demaj.
Në këtë takim u bisedua për realizimin e pikave të Protokollit të bashkëpunimit të ndërsjellë, në mënyrë të veçantë për përgatitjet rreth Konferencës shkencore, kushtuar shënimit të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që është evenimenti kryesor, i cili do të organizohet në Kosovë.
U bisedua, po ashtu edhe për organizimin e Konferencës shkencore, në kuadër të shënimit të 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që do të mbahet në Tiranë.