Kryetarja e ASHAK-ut u prit në takim nga Don Mauro Mantovani në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Akademike Justina Shiroka-Pula, e shoqëruar nga shefi i Misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari, u prit sot në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit nga prefekti i kësaj biblioteke, don Mauro Mantovani.

Gjatë takimit u diskutua roli i institucioneve akademike dhe kulturore në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë historike, shkencore dhe kulturore.

Kryetarja Shiroka-Pula shprehu vlerësimin e saj për misionin dhe kontributin e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit në ruajtjen e koleksioneve të rëndësishme, dorëshkrimeve, dokumenteve dhe veprave me vlerë universale për historinë e qytetërimit dhe të shkencës.

Në këtë kontekst, ajo vuri në dukje rëndësinë e burimeve që ruhen në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit për studimin e historisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e zgjerimit të kontakteve ndërmjet institucioneve shkencore dhe kulturore, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në studimin e trashëgimisë dokumentare që lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare.

Akademike Shiroka-Pula shprehu bindjen se dialogu i nisur do të krijojë mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet ASHAK-ut dhe Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, duke hapur rrugë për bashkëpunim shkencor në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në studimin e trashëgimisë historike dhe dokumentare për historinë dhe kulturën shqiptare.