Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, vizitoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, me bashkëpunëtorët e tij, prof. dr. Ardian Gola dhe z. Ilir Kërqeli, me datë 21 qershor 2022 i bëri një vizitë Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku u prit nga kryetari i Akademisë, akademik Mehmet Kraja dhe anëtarët e Kryesisë së Akademisë, akademik Justina Sh. Pula, nënkryetare, akademik Sabri Hamiti, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, anëtare korrespondente Gjyljeta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, anëtar korrespondent Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe znj. Lendita Pula, sekretare e Akademisë.

Në takim u bisedua për aktivitetet dhe punën shkencore të Akademisë, për projektet dhe angazhimet e këtij institucioni më të lartë të dijes në fushat e ndryshme, përfshirë edhe projektin e përbashkët të kësaj akademie me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare. Kryetari Konjufca tregoi gatishmëri për bashkëpunimin institucional me Akademinë e Kosovës dhe shprehu mbështetje për projektet e Akademisë në fusha të ndryshme të shkencës dhe të arteve.