Kryeministri Kurti mirëpriti Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula

Sot me 27.02.2026 kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula bashkë me nënkryetarin akademik Fejzullah Krasniqin dhe sekretarin shkencor akademik Bardh Rugovën, zhvilluan një takim konstruktiv me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, të cilin fillimisht e uruan për mandatin e ri si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe në vazhdim ata diskutuan për rolin e dijes dhe shkencës në zhvillimin strategjik të vendit.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës shprehu gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizë në projekte madhore zhvillimore, veçanërisht në fushat e migrimit, kthimit të kapitalit njerëzor, inteligjencës artificiale, si dhe në politikat e sigurisë dhe tranzicionit energjetik.
Pas diskutimeve të frytshme u arrit pajtimi për thellimin e bashkëpunimit institucional, në funksion të vendimmarrjes të bazuar në analiza shkencore dhe planifikim afatgjatë.
Akademia mbetet e përkushtuar që të jetë partner strategjik i institucioneve të Republikës së Kosovës në ndërtimin e një shteti të zhvilluar dhe konkurrues.