Konferencë shkencore për Arkeologjinë shqiptare

Në organizimi të përbashkët të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në Tiranë, më 8 nëntor 2023 i çeli punimet konferenca shkencore “Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e themelimit të saj”.

Në çelje të kësaj konference, një fjalë rasti e mbajti kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja.

 

Kraja: Në këtë hapësirë toka flet shqip

 

Të nderuar miq, pjesëmarrës të konferencës për arkeologjinë.

Më lejoni që në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës t’ju dëshiroj mbarëvajtjen e këtij tubimi shkencor të rëndësishëm, i cili bie në përvjetorin e fillimit institucional të arkeologjisë shqiptare dhe që lidhet me themelimin e institutit përkatës, një nga institucionet më të vlefshme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Kosova, në këtë rast Akademia, por arkeologët e Kosovës në rend të parë, janë bashkuar me ju, për ta njohur punën institucionale në fushën e arkeologjisë si një nga punët më të vyera që ka bërë shteti shqiptar, duke i dhënë vlerë dhe argumente shkencore tezave dhe hipotezave që deri vonë rrinin pezull, jo vetëm në dijen shqiptare dhe ballkanike, por edhe në atë botërore.

Më shumë se çdokujt tjetër, neve shqiptarëve na është dashur që të vërtetat tona t’i nxjerrim nga dheu. Këtë e ka bërë tashmë arkeologjia shqiptare.

Respekt për të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë zbuluar se në këtë hapësirë, edhe përkundër furtunave dhe erozioneve të mëdha, toka flet shqip!

Më lejoni të them se arkeologjia në Kosovë ka kaluar periudha të errëta, periudha kur dëshmia për vazhdimësinë ilire-shqiptare ndëshkohej herë me plumba, si në rastin e Gjeçovit, ose me helmim, si në rastin e antropologut hungarez Nemeshkeri, i cili supozohet se u helmua, pasi dërgoi një raport paraprak se Nekropoli Mesjetar i Vërmicës dëshmonte për një popullsi josllave, me vazhdimësi nga shekulli II para epokës së re, V dhe VI në mesjetën e hershme dhe më vonë në shekujt IX-XI. Kjo vazhdimësi ilire-shqiptare në ish-Jugosllavi konsiderohej armiqësore, sa që mund të ndëshkohej edhe me vdekje.

Dua që një pjesë e fjalës sime në këtë konferencë të jetë homazh për Shtjefën Gjeçovin, arkeologun e parë shqiptar.

Prifti françeskan Shtjefën Gjeçovi, sikundër e dini, ka lindur në Janjevë, ku më pas, gjatë kohës që unë mbaj mend, jetonte një komunitet i krishterë katolik. Shtëpia e tij e lindjes gjendet atje edhe sot, vetëm se pushteti jugosllav, ku ishin të përfshirë edhe një numër kosovarësh, nuk e desh Shtjefën Gjeçovin, të cilin jo vetëm që e vrau më 1929, por nuk i bëri as nderet që i takonin një burri mendjendritur, i cili la trashëgimi dy monumente të pavdekshme: themeloi arkeologjinë shqiptare dhe kodifikoi veprën më të rëndësishme të trashëgimisë zakonore shqiptare, Kanunin e Lekë Dukagjinit. Nga kjo foltore dua të falënderoj komunën e Lipjanit, e cila pas luftës së vitit 1999 shtëpinë e shkatërruar dhe të lënë në harresë të atë Shtjefën Gjeçovit në Janjevë e meremetoi, e rinovoi dhe shpalli shtëpi-muze.

Po nga kjo foltore dua t’ju bëj me dije se Akademia e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, që viti 2024, i cili bie në 150 vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, të shpallet zyrtarisht si “Viti i Gjeçovit”. Tashmë ne e kemi përfshirë në programin e pujës sonë një konferencë shkencore për Shtjefën Gjeçovin, në tetor të vitit të ardhshëm, që i bie me qenë muaji i lindjes dhe i vdekjes së Shtjefën Gjeçovit.

Kjo është më e pakta që mund të bëjmë në respekt të atij që i pari ndër shqiptarët dëgjoi zërat nga thellësia tokës sonë që flet.