Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Instituti i Historise Prishtinë, në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë organizojnë Konferencën Shkencore “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas”. Konferenca fillon punimet më 13 shtator 2012, ora 9:00, në mjediset e Akademisë.
Fjala e hapjes: Akademik Hivzi ISLAMI, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Jemi në një vit të madh jubilar – në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe këtë sot e di çdo shqiptar kudo që gjendet, në truallin gjeoetnik dhe në diasporë.
Me Konferencën e sotme shkencore “PAVARËSIA E SHQIPËRISË DHE KOSOVA 100 VJET PAS”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Instituti i Historisë i Prishtinës i vazhdojnë aktivitetet për shënimin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sikundër që aktivitete të dendura për këtë qëllim janë duke zhvilluar Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë i Tiranës, Qendra e Studimeve Albanologjike etj. Më 25 prill Akademia jonë dhe Instituti i Historisë i Prishtinës shënuan 100-vjetorin e themelimit dhe të ekzistimit të Shoqatës Panshqiptare ”Vatra”, ndërsa më 21 maj 2012 organizuan Akademinë – kujtesën historike, kushtuar 100-vjetorit të mbajtjes së Kuvendit të Junikut. Në muajin tetor, ndërkaq, në nderim të këtij jubileu të madh, Akademia jonë do të organizojë veprimtari artistike.
+ + +
Shekulli XX ishte shekull i kthesave dhe i proceseve të mëdha progresive të njerëzimit si rezultat i zhvillimit material e mendor të paparë deri atëherë, i të arriturave shkencore, i industrializimit të shoqërisë, i modernizimit të teknologjisë, i ekspansionit mjekësor e sanitar. Por ishte ky njëkohësisht edhe shekull i brutaliteteve e barbarive deri te ndërmarrjet gjenocidale në përmasa botërore (dy luftërat botërore), në rrafshin rajonal (konflikte e luftëra midis vendeve e popujve) dhe në nivel nacional (diktaturat vendore komuniste). Vendet dhe popujt në këtë shekull i cilësuan fluktuime në shkallë të ndryshme të evolucionit shoqëror: ngritje dhe rënie, suksese dhe dështime, ecje të organizuara dhe anarki, qeverisje demokratike dhe diktatoriale, ndarje të dhunshme të gjeografive etnike nga historitë etnike e kombëtare përmes forcës ushtarake dhe politikës së “spastrimeve etnike” etj.
+ + +
Në përmasa rajonale sikur goditje më të mëdha jo vetëm këto 100 vjetët e fundit, por shumë më tepër, pati kombi shqiptar në gjithë hapësirën e tij etnike, ku shquhet lufta kundër faktorit demografik shqiptar përmes spastrimit etnik të shqiptarëve dhe kolonizimit të trojeve të tyre me element sllav. Megjithatë, brenda këtij harku kohor, kombi shqiptar pati edhe shpërthime produktive. Pikërisht para 100 vjetëve Shqipëria ”bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme” – thuhet në Deklaratën e Pavarësisë të 28 Nëntorit 1912, të mbështetur dhe firmosur nga delegatët e të gjitha krahinave shqiptare dhe të të gjitha shtresave të tyre shoqërore dhe konfesionale. Mjerisht, kaloi një shekull dhe shumë çështje dhe zhvillime të kësaj periudhe mbetën pa u ndriçuar shkencërisht në shkallën e nevojshme. Të tilla janë proceset që i paraprinë aktit madhor, Pavarësisë së Shqipërisë, përfshirë kryengritjet e shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera etnike në tërë kompleksitetin e tyre si ngjarje të cilat i hapën rrugë dhe e përshpejtuan pavarësinë e Shqipërisë. Nuk u ndriçuan sa duhet as proceset, dhuna dhe plojat në trojet e mbetura jashtë Shqipërisë që pasuan pas vitit 1912, sikundër që nuk u studiua sa duhet as qëndrimi i fuqive të mëdha ndaj çështjes shqiptare para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë.
Ajo që na është e njohur relativisht mirë këto 100 vjetët e fundit dhe shumë më herët, nga fillimet e Rilindjes Kombëtare, veçanërisht nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është fakti se shqiptarët e të gjitha trojeve, me luftëra të armatosura e të përgjakshme, me penë, me luftëra politike e paqësore, sollën një ditë të madhe historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, sikundër që 100 vjet pas, shqiptarët e Kosovës sollën 17 Shkurtin e Madh të vitit 2008, ditën e pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës. Këto data të mëdha historike, pra, nuk pikën nga qielli.
Brezat luftuan për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët kombëtar, por rrethanat ndërkombëtare nuk ishin në favor të shqiptarëve. Dhe sot është momenti që në të dy rastet t’i falënderojmë dhe t’u jemi shumë mirënjohës brezave që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë që po e gëzojmë ne sot, për krijimin e dy shteve shqiptare nga një komb, por t’i falënderojmë edhe qarqet dhe miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe kryetarët e tyre: Vudrou Vilsonin (1920), Bill Klintonin (1999) dhe Bushin e Ri (2008), që qenë faktorë me rëndësi në të dy pavarësitë.
+ + +
Kur shqiptarët u gjetën para rreziqeve si komb, pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit më 3 mars 1878, që shkonin në favor të Rusisë dhe shteteve sllave të Ballkanit, dhe vendimeve antishqiptare të Kongresit të Berlinit (1878), krerët e Lëvizjes kombëtare u vunë në krye të rezistencës për gjetjen e rrugëve për status të veçantë të trojeve shqiptare dhe për administrim autonom brenda Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim shqiptarët formuan besëlidhjet, kuvendet, siç ishte Kuvendi i njohur i Junikut, i mbajtur nga 21-25 maj 1912, pastaj komitetet, klubet kombëtare dhe shoqëritë atdhetare me organet e tyre. Kulmi u arrit me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qershor të vitit 1878 dhe të Lidhjes së Pejës në fund të janarit 1899, me programe përparimtare politike, shoqërore dhe kulturore. Nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX aktivitet të madh kombëtar, kulturor dhe politik dhe rrjedhimisht për pavarësinë e Shqipërisë zhvilluan diaspora dhe kolonitë shqiptare. Edhe për pavarësimin e Kosovës diaspora jonë luajti një rol shumë të madh me ndihma materiale, morale dhe ushtarake.
Në funksion të autonomitetit, pavarësisë dhe emancipimit të përgjithshëm shoqëror e kulturor të shqiptarëve para 28 Nëntorit 1912 ishte dhe Kongresi i Manastirit në vitin 1908 për njësimin e albabetit të gjuhës shqipe, të cilin e organizoi dhe financiarisht e ndihmoi klubi i njohur “Bashkimi” nga Manastiri. Mirëpo, rol vendimtar për pavarësinë e Shqipërisë luajtën kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malësisë së Mbishkodrës në vitet 1910-1912, të cilat pastaj u shtrinë në gjithë territorin etnik shqiptar. Për kryengritjet e vitit 1912 politikanët objektivë evropianë të kohës theksuan se shqiptarët ishin ata që “i shembën pirgjet e Perandorisë Osmane mbi kokën e tyre. Janë shqiptarët ata të cilët i shpartalluan turqit, e jo serbët, as bullgarët dhe as grekët”.
+ + +
Viti i Madh 1912 ishte dhe vit që prodhoi pasoja të tjera të rënda për shqiptarët: në pikëpamje politike-shtetërore trungu gjeoetnik u nda, me ç’rast Kosova dhe viset përreth mbetën jashtë Shqipërisë politike. Pazarllëqet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 e lanë Kosovën dhe viset e tjera etnike shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, të okupuara nga Serbia me forcë ushtarake. Ushtria serbe bëri mizori të papara mbi shqiptarët. Për fat të keq, këtë gjendje të arritur me dhunë, e verifikoi Konferenca e Versajës në vitin 1919, duke e favorizuar jashtë çdo mase Serbinë. Hilet e disa vendeve evropiane dhe të Rusisë karshi çështjes shqiptare ishin shumë të hapëta dhe po të mos ishte presidenti i atëhershëm amerikan Vudrou Vilson, i cili kundërshtoi planet sekrete të Marrëveshjes së Francës dhe Anglisë të janarit 1920 për copëtimin e mëtejmë të Shqipërisë, nuk do të ishte as kjo Shqipëri e sotme, e rrudhur në 28.748 km². Mirëpo, pa këtë Shqipëri, kështu të rrudhur, sigurisht se nuk do të ishte as kjo Kosovë, njëherë si një autonomi dhe sot si shtet i pavarur dhe sovran, por edhe pa Kosovën, nuk ka dyshim se nuk do të ishte as kjo Shqipëri.
Midis dy luftërave botërore gjendja e shqiptarëve jashtë Shqipërisë politike u përkeqësua edhe më shumë në çdo pikëpamje. Territori shqiptar u copëtua në tri banovina (e Moravës, e Zetës dhe e Vardarit), ndërsa popullsia iu nënshtrua përndjekjeve, shpronësimeve, shpërnguljeve të detyrueshme deri te shfarosja fizike. Gjatë Luftës II Botërore ky territor u nda në tri zona okupuese (italiane, bullgare dhe gjermane). Pas kësaj lufte nuk u bë bashkimi i hapësirës etnike shqiptare në një shtet të vetëm në frymën e Rezolutës së Bujanit (1943-1944), por Kosova, kundër vullnetit të popullit shumicë, në korrik të vitit 1945 u fut me forcë ushtarake nën Serbi/Jugosllavi si “krahinë autonome” (autonomna oblast), me status konstitucional-politik më të ulët se të Vojvodinës. Me këtë pozitë mbeti deri në Kushtetutën e tretë të Jugosllavisë (1963), kur u barazua me Vojvodinën, ndërkaq territoret e tjera shqiptare nuk iu bashkuan Kosovës, por mbetën në tri republika të tjera (të Maqedonisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi). Nga ndarjet e imponuara e të dhunshme pasuan tragjedi të mëdha në rrafshin kombëtar, politik, ekonomik, social, familjar etj.
Fatkeqësisht, rikomponimi territorial i Kosovës mbi bazë të planeve të ndryshme vazhdon të mbetet një kaptinë e hapur deri te kërkesa e fundit e Serbisë zyrtare për pavarësinë e Veriut të Kosovës si entitet autonom serb dhe për pavarësinë territoriale-administrative të enklavave të brendshme serbe, së bashku me monumentet e tyre fetare. Kjo kërkesë mjerisht po gjenë mbështetje edhe te disa qarqe të caktuara ndërkombëtare.
+ + +
Pavarësia e Shqipërisë dhe Dita e Flamurit erdhën në kontekstin shoqëror shqiptar me kundërthënie të mëdha dhe pa vizione të qarta për ardhmërinë e kombit. Pavarësia e Shqipërisë ndodhi në mjedisin e pazhvilluar e të paarsimuar, të diversifikuar në pikëpamje ideologjike, politike e fetare. Kjo gjendje lente mundësinë për ndërhyrje më të mëdha nga jashtë, çfarë ndodhi gjatë tërë shekullit XX (varshmëritë dhe nënshtrimet e njëpasnjëshme nga Austro-Hungaria, Italia, dy Jugosllavitë, BRSS-ja, Kina).
Katër Jugosllavitë, në dimensione të ndryshme, hapësinore e politike, e Versajës më 1919, e Titos më 1945, e Millosheviqit e vitit 1992 dhe e Koshtunicës (Unioni Serbi-Mal i Zi) e vitit 2003, ashtu siç u krijuan mbi bazë të forcës ushtarake dhe të politikës hegjemoniste serbe, ashtu edhe u shkatërruan nga veprimi i konceptit unitarist e militarist. Meritë e shqiptarëve të Kosovës ishte se ditën ta gjenin veten në projektet dhe proceset e perëndimit me të cilat ra sistemi komunist dhe u shpërbë ish-Jugosllavia, sikundër që edhe forcat demokratike dhe antienveriste në Shqipëri u ngritën kundër diktaturës së egër që e la vendin të izoluar dhe më të pazhvilluar në Evropë.
+ + +
Jubileu i madh, 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, dhe jubileu i 5- vjetorit të pavarësisë së Kosovës, janë edhe një moment për ryshqirtimin e historisë, me ç’rast ngjarjet dhe personalitetet historike do të interpretoheshin dhe vlerësoheshin nga këndvështrimi objektiv shkencor. Këto dy jubile janë gjithashtu një rast që gjakftoftë, pa emocione e patetikë, të nxjerrin mësime nga pikat e pësimeve e dështimeve të qeverisjeve në të dy anët e kufirit dhe të reflektojmë për një qeverisje racionale e produktive dhe perspektivë të sigurt evroatlantike.
Pavarësia e shtetit duket sikur ndërtimi i shtëpisë, më lehtë bëhet e më vështirë mbahet. Punët dhe përgjegjësitë e institucioneve të Kosovës filluan pikërisht më 17 shkurt 2008 dhe do të jenë edhe më të mëdha pas përfundimit të procesit të mbikqyrjes ndërkombëtare që ndodhi para tri ditëve. Problemet dhe sfidat e Kosovës mbesin në radhë të parë te përpjekjet për mbrojtjen nga invalidizimi i mundshëm territorial i shtetit, te mbrojtja nga grabitja e pasurisë kombëtare, te sundimi i ligjit, te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, te angazhimi për jetë dinjitoze të qytetarit të Kosovës.
Të nderuar pjesëmarrës të Konferencës dhe të pranishëm të tjerë,
Shpresoj se kjo Konferencë shkencore, me çështjet që do t’i trajtojë në kuadër të temës bosht, me komplementaritetin në mes tyre, mbi bazë të argumenteve të reja shkencore, do të jetë shumë produktive në zbardhjen e një mori problemeve dhe zhvillimeve njëshekullore.
Urime dhe suksese!
Ju faleminderit!