Konferenca shkencore ndërkombëtare: Filozofia dhe poezia

ASHAK më 3 maj 2023 tuboi studiues të shquar nga fusha e filozofisë dhe letërsisë nga Prishtina, Tirana dhe Parisi.
Në pjesën e pare të kësaj konference ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Francës z. Olivier Guérot.

Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Akademikes Justina Pula Shiroka. Akademik Muhamedin Kullashi e prezantoi synimin e anëtarëve të Këshillit organizues (Muhamedin Kullashi, Shaban Sinani, Adriana Anxhaku, Hasnije Ilazi dhe Ag Apolloni) për të përkufizuar temën Filozofia dhe Poezia.
Kumtesën e akademikut të shquar francez  Jean-Yves Tilliette me titullin “Gërshetimet mesjetare të Poezisë dhe Filozofisë “Shkolla e Chartreit” e lexoi, të përkthyer në gjuhën shqipe, profesorja Nerimane Kamberi.  Autori trajtoi në kumtesën e vet dy monumentet më të bukura të krijimtarisë peotiko-filozofike të mesjetës: Kosmografia e Bernard Silvestre (1150)  dhe l’Anticlaudianus i Alain de Lille, një epope alegorike me 4500 vargje, në të cilën shpalohet krijimi i botës dhe i njeriut (“Megakosmi” dhe “Mikrokosmi”). Tilliette vuri në pah begatitë stilistike të dy veprave poetike-filozofike.
Filozofi francez Gérard Raulet, autor i çmuar  veprave filozofike në gjuhën franceze dhe gjermane në kumtesën “Midis poezisë dhe politikës – Miti i Gjermanisë sekrete” shoshiti forma të ndryshme të ndër-diskursit që janë shpërfaqur, veç tjerash në veprat e Alfred Bauemler dhe  Johannes R. Becher. Analizat e autorit mbi strategjitë diskursive te poetët e angazhuar kundër nazizmit, në veçanti te poetët e shkollës së George, orientohen te ndriçimi i rolit të poetit të madh Hölderlinit brenda rrjedhave të kësaj rezistence.
Profesorja e filozofisë Hasnije Ilazi në kumtesën e titulluar “Refleksione filozofike dhe poetike në romanin e Milan Kunderës” shqyrtoi në veçanti artin e ironisë dhe ironinë si perspektivë e romanit në të cilin shfaqen koncepte themelore dhe format dominuese të prodhimtarisë letrare të Milan Kunderës.
Profesor Abdulla Rexhepi në kumtesën “Poezia filozofike dhe filozofia e poetizuar në mendimin pers: Omer Hajam dhe Mahmud Shabestari” pasi trajtoi konceptimin, analizoi edhe poezinë filozofike të Omer Hajamit dhe temat filozofike të veprës poetike të Mahmud Shabestarit.
Akademik Muhamedin Kullashi në fillim të kumtesës së vet “Relacionet e filozofisë me poezinë te Nietzsche” vuri në pah se të menduarit e Nietzsche-s është cilësuar shpesh si poetik jo vetëm pse në shkrimin e tij hasim rregullisht një gërshetim të dendur midis koncepteve thellësisht të elaboruara dhe kritike ndaj koncepcioneve tjera, por edhe me imazhe e figura stilistike (metafora, alegori etj.), që janë më karakteristike për shkrimet letrare e poetike në veçanti.
Profesorja Adriana Anxhaku, nga Universiteti i Tiranës,  në kumtesën “Lojrat e gjuhës në poezinë e Martin Camajt” synoi të vë në pah se poezia e Camajt ngjason  me  rolin që i njeh poezisë Vitgenshtajni, si një loja gjuhe e kushtëzuar fort prej situatave kulturore.
Blerina Rogova Gaxha, në kumtesën “Vdekja dhe Poezia” trajtoi fenomenin e vdekjes në poezinë moderne.
Profesori Astrit Salihu në kumtesën  “I lehtë, me krahë dhe i shenjtë, përjashtohet nga shteti” zhvilloi një interpretim sipas të cilit qëndrimi i mirëfilltë i Platonit për artin dhe poezinë, për atë që është magjepsëse, tërheqëse dhe e fuqishme në art dhe poezi, nuk implikon kundërshtimin rrënjësor të artit dhe poezisë. Në analizën e dialogut të Platonit “Joni” Salihu vë në pah një mendim të thellë filozofik për artin dhe poezinë.
Profesor Haqif Mulliqi në kumtesën “Mbi aspektet e caktuara filozofike në përvojën estetike të poezisë” u nis nga teza se poezia mund të jetë e lidhur me filozofinë, pra, të jetë filozofike e njëherësh,  mëtoi të vë në pah se në çfarë konsiston përvoja estetike e atyre poezive që ngërthejnë brenda vetes dimension filozofik.
Profesorja Valbona Gashi Berisha, në kumtesën e saj “Diskursi i carpe diem në poezinë e Pierre de Ronsard” e zhvilloi një analizë pertinente të poezisë së poetit të madh francez Pierre de Ronsard.