Konferenca shkencore ndërkombëtare: Drama shqipe, fillimi i shekullit XXI

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), më 11 maj 2023, e organizuar nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, zhvilloi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Drama shqipe, fillimi i shekullit XXI”. Me kumtesat e tyre u paraqitën 18 studiues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Fjalën e hapjes e mbajti Akademik Sabri Hamiti, i cili, ndër tëtjerash theksoi: “Në vitet e fundit, janë mbajtur tri konferenca në Akademinë tonë dhe janë botuar poashtu aktet e tyre: Konferenca shkencore “Romani shqiptar, fillimi i shekullit XXI”, me 17 pjesëmarrës (autorë), botuar në një vëllim me 218 faqe, në vitin 2019; Konferenca shkencore “Poezia shqipe, fillimi i shekullit XXI”, me 16 pjesëmarrës (autorë), botuar në një vëllim me 268 faqe, në vitin 2021; Konferenca shkencore “Kritika dhe studimet letrare shqipe, fillimi i shekullit XXI”, me 19 pjesëmarrës (autorë) botuar në një vëllim me 312 faqe, në vitin 2022; Konferenca shkencore e sotme, përmbyllëse, “Drama shqipe, fillimi i shekullit XXI” ka mbledhur 18 pjesëmarrës (autorë) dhe botimi i akteve të saj sivjet do të kapë një vëllim të përafërt.

Lejohemi të themi që katër vëllime me kund njëmijë faqe nga shtatëdhjetë studiues për letërsinë shqipe të shekullit XXI është një kurorë mbresëlënëse e suksesit. Është një pamje e letërsisë bashkëkohore shqipe, që e shkruajnë tre breza shkrimtarësh, dhe e lexojnë dhe interpretojnë bashkëkohësit, qoftë në nivel të gjinive, qoftë duke e ngritur në sistem letrar.

Në vijim të punimeve të Konferencës, ndër të tjerë, kumtuan studiuesit si vijon: Mehmet Kraja me temën Drama dhe teatri: Erveheja: dhe “Shtëpia në Bulevard” trajtoi raportin e dramës me teatrin në kuadër të lakores së zhvillimit historik nacional të artit dramatik, Sabri Hamiti me temën Drama: Gjini e vështirë, analizoi poetikën e gjinisë dramatike që nga tragjedianët klasikë Eskili, Sofokliu, Euripidi, Shekspiri e deri te drama moderne shqipe me shembull dramën Stiffler të Doruntina Bashës me përqendrim në frazën fatidike “A edhe Ti!” si situatë ekstreme jetësore, Persida Asllani në temën Dramat e Ylljet Aliçkës mes ligjërimit narrativ dhe aksionit skenik trajtoi dramatikën e metafiksionit historiografik të Ylljet Aliçkës, Erenestina Gjergji Halili me temën Dikur, Dje, Sot, Nesër, Përherë! analizoi dramën Pasioni (2023) të Sabri Hamitit nën thjerrëzën e teorive postmoderne të dramës, Arben Prendi me temën Ndërthurja e elementeve komike e tragjike në dramat e Stefan Çapalikut u fokusua në hetimin e thellësive të saj sa i përket trajtimit të problematikës komplekse të familjes dhe të shoqërisë shqiptare të tranzicionit.

Ndërsa, Nysret Krasniqi paraqiti temën Ironia e dramës shqipe në Kosovë në të cilën analizoi disa vepra-modele, si dëshmi tekstuale e ironisë dhe kalimit saj në ironizim në frymën e dramës shqipe të shekullit të ri, Stefan Çapaliku me temën Oferta teatrore e mileniumit të ri, trajtoi fenomenin e teatrit postmodern nën prizmin e ofertës dramatike dhe ofertës teatroreme shembuj nga Teatri Kombëtar i Tiranës dhe Teatri Bashkiak iShkodrës, Muhamet Hamiti me temën Drama e shekullit të ri në Kosovë trajtoi fenomenin kulturor se si korpusi i ri dramatik mëton të japë pamje të dramës që krijohet me synimin për të rikonceptuar dramën nacionale dhe teatrin nacional shqiptar, Ag Apolloni me temën Drama dhe teatri shqyrtoi dramën shqipe në shekullin XXI si evolucion që ka sjellë ndryshime tekstuale dhe skenike, si risi dhe avancime në formën e metateatrit, teatrithibrid apo të teatrit sajuar.

Më tutje, në Konferencë u paraqitën edhe studime të tipit monografik, ku Elsa Demo trajtoi konceptin e Medeas në dramën e Idlir Azizajt, Arian Krasniqi analizoi monodramatikëne Besim Rexhajt, ndërsa Adil Olluri kumtoi për dramatikën e Arian Krasniqit.

Kurse për studimet dhe kritikën e dramës kumtuan Luljeta Isaku, e cila ritheksioi imanencën e dobisë së kritikës profesionale teatrore, Gëzim Puka trajtoi spektrin e studimeve dramatike të Josif Papagjonit, ndërsa Haqif Mulliqi paraqiti nevojën e rishikimit teorik-kritik të korpusit të krijimtarisë së dramës.

Fjalën e mbylljës së punimeve të Konferëncës Shkencore Ndërkombëtare “Drama shqipe, fillimi i shekullit XXI” e mbajti Akademik Sabri Hamiti, i cili duke falënderuar pjesëmarrësit, dhe duke ritheksuar vlerën e kësaj konference, ndër të tjerash, tha: Sa ka vlerë leximi i parë i bashkëkohësve për komunikimin e mëtejshëm të veprave letrare na dëshmon me teorinë dhe me kritikën praktike kritiku i parë modern shqiptar Faik Konica, në radhë të parë me leximin dhe interpretimin e shkrimtarëve shqiptarë të brezit të tij. Gjithsecili i kritikëve të mëvonshëm e ka rivizituar Konicën, qoftë përpara, qoftë pas leximit të bashkëkohësve”.