Konferenca për albanistikën në vendet ku flitet gjermanisht nis punimet të enjten

Disa nga autoritetet e albanologjisë në botë do të jenë gjatë kësaj jave në Prishtinë, për të marrë pjesë në konferencën shkencore “Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht”, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kjo konferencë e organizuar nga ASHAK-u me ndihmën edhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do t’i hapë punimet të enjten, më 26 tetor, në orën 9 dhe do t’i mbyllë të premten, më 27 tetor 2017.
Në Konferencë do të marrin pjesë më se 60 studiues nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Italia, Hungaria, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Austria, Franca e Zvicra.
Interesin për studimet për gjuhën shqipe dhe për shqiptarët në botën kulturore dhe shkencore ku flitet gjuha gjermane e kishin nyjëtuar dijetarë dhe studiues të ndryshëm, duke filluar qysh me Leibniz-in. Në shekullin e historicizmit dhe të komparativizmit, kur interesi për shqipen dhe shqiptarët ishte në rritje, studimet e zhvilluara në vendet ku flitet gjuha gjermane ishin më të gjerat, më të thelluarat dhe më të rëndësishmet. Ato kanë vijuar me intensitet edhe më të shtuar në sh. XX. Mund të thuhet se pikërisht për shkak të arritjeve që kanë shënuar ato dije e studime në ato vende, gjermanishtja ishte bërë në njëfarë mënyre gjuha evropiane ndërkombëtare e albanistikës. Këtu gati natyrshëm bashkoheshin studimet, studiuesit dhe dijetarët e vendeve skandinave. Nuk kanë mbetur fusha të studimeve albanistike që të mos jenë eksploruar nga dijetarët e këtyre hapësirave gjuhësore. Ky interesim ka vazhduar edhe në kohën tonë, në shkallën që pa konsultimin e studimeve të bëra në këto hapësira dhe të botuara në këtë gjuhë duket e vështirë të arrihen rezultate me peshë. Një tematikë e tillë ose pjesërisht e ngjashme është shtruar për diskutim dhe herë të tjera, qoftë gjerësisht, qoftë me përqendrime më thelbësore.

Këshilli Organizues i Konferencës

Kontaktet: ashak@ashak.org; alicaka@ashak.org;

Loader Loading...
EAD Logo Taking too long?

Reload Reload document
| Open Open in new tab

Shkarko [377.82 KB]