Kjo veprimtari shkencore organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke mundësuar kështu organizimin e dytë të saj në Tiranë pas konferencës së parë të vitit 2023 në Kosovë.
Në ceremoninë e hapjes nderuan me praninë e tyre: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Bajram Begaj; Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja; zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil S. Tole; Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, znj. Randi Davis; anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së dhe ASHAK-ut, rektorë universitetesh, akademikë, profesorë, shkencëtarë e studiues të fushës nga vendi, rajoni dhe më gjerë.
Seanca plenare nisi me fjalën e hapjes të akad. Anastas Angjelit, kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Shkencave Sociale dhe Juridike (ASHSH). Në emër të komisionit organizator, ai u shpreh se tematika e konferencës lidhet me problematikat vendimtare për të ardhmen e shoqërive tona, që nuk prek thjesht çështjet ekonomike apo statistikore, por edhe dimensionin njerëzor të zhvillimit. “Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të rajonit kanë përjetuar ndryshime të thella demografike të cilat nuk vijnë vetëm nga largimi në vendet, rënien e lindshmërisë, emigracionin e vazhdueshëm të të rinjve, plakjen graduale të popullsisë dhe ristrukturimin e tregut të punës. Këto janë procese komplekse, me shkaqe të ndërthurura – ekonomike, sociale, kulturore e politike – që kërkojnë analizë të thelluar, të dhëna të sakta dhe politika të menduara afatgjatë.” -tha akad Angjeli.
Më tej, ai e vlerësoi konferencën si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin institucional dhe shkencor ndërmjet dy akademive si një partneritet që tashmë po shndërrohet në një platformë të përbashkët kërkimore shqiptare dhe rajonale, ku ide, përvoja dhe analiza shkencore ndërthuren për t’u vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit europian dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.
Akad. Angjeli shprehu bindjen se kjo konferencë mund të hedhë themelet e dialogut shkencor, të nxisë bashkëpunim ndërinstitucional dhe të krijojë hapësira për politika të reja të bazuara në dije, me synimin për të kontribuar për ndërtimin e një strategjie kombëtare dhe rajonale të zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja vlerësoi punën e organizatorëve dhe pjesëmarrësve të konferencës, duke marrë në shqyrtim një problematikë, siç është demografia dhe tregu i punës, e cila ka filluar të bëhet një çështje e mprehtë për shumicën e shteteve të Europës, përfshirë edhe shtetet e rajonit të Ballkanit, perëndimor ose jo tamam perëndimor. “Nëse i kuptojmë drejt dhe i paraprijmë këtyre ndryshimeve me strategji afatgjata dhe politika të mirëmenduara e të koordinuara, ato të mund të kthehen nga sfida, në mundësi. Ne kemi nevojë për një treg më të bashkuar, më të koordinuar, që i gjithë rajoni të bëhet më tërheqës, tërheqës për investime dhe projekte të përbashkëta zhvillimi. Në këtë kontekst, procesi i integrimit evropian mbetet rruga më e qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe zbut disa shkaqe të emigracionit.”- tha akad. Kraja.
Ai solli në vëmendje arritjet e qeverive të Europës, të cilat tashmë kanë hartuar projekte për përmirësime demografike, për ndërprerjen e trendit negativ demografik dhe rikthimin e treguesve pozitivë, jo vetëm në raport me tregun e punës, por në raport edhe me treguesit e tjerë, që mund të definohen si faktor të sigurisë, të mirëmbajtjes materiale të shoqërive në këtë nivel të mirëqenies.
Akad. Kraja tha se “Sfidat demografike e të tregut të punës janë kombëtare e rajonale dhe përvoja e suksesshme e vendeve të tjera tregon se ato mund të përballohen më lehtë nëse ka bashkëpunim, nëse ka integrim dhe zhvillim ekonomik. Në këto kushte, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës, integrimi rajonal dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian marrin një kuptim të ri.”
Në fund, ai vlerësoi si prioritet bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon për krijuar më shumë mundësi, më shumë qëndrueshmëri dhe më shumë shpresë për të rinjtë tanë.
Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kryesisë së saj, konferencën e përshëndeti zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil S. Tole. Kjo konferencë shkencore, e cila i kushtohet një teme të ndjeshme e me rëndësi strategjike për të ardhmen e vendeve tona dhe të rajonit, ka bërë bashkë dy akademitë tona përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të frytshëm, duke i afruar universitetet, studiuesit dhe ekspertët e fushës për të dhënë kontribute shkencore në një çështje kaq madhore. Në dekadat e fundit, realiteti demografik i Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit tonë ka ndryshuar rrënjësisht. Popullsia është në tkurrje, ritmet e lindshmërisë janë ulur, emigracioni masiv i të rinjve ka sjellë boshatisjen e shumë zonave dhe humbjen e potencialeve të vlefshme njerëzore.
Akad. Tole e vlerësoi konferencën si një dëshmi të përkushtimit të përbashkët për të vendosur dijen dhe kërkimin shkencor në shërbim të shoqërisë. Përballë sfidave të sotme, akademitë nuk janë vetëm institucione të traditës, por edhe institucione të rëndësishme rekomanduese e këshilluese, që me rolin e tyre shërbejnë si ura mes shkencës dhe politikës, mes dijes dhe vendimmarrjes. Kjo është një praktikë që e gjejmë në të gjitha vendet europiane dhe që po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e vizionit tonë për akademinë si partner strategjik të shtetit dhe të shoqërisë. Ne jemi të vetëdijshëm se përmasat e sfidave demografike e ekonomike janë të tilla që nuk mund të adresohen vetëm nga një vend apo nga një institucion i vetëm. Ato kërkojnë një qasje të koordinuar, një dialog rajonal dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Bajram Begaj, në fjalën e tij përgëzoi organizatorët për këtë nismë që bashkon mendimin shkencor dhe institucional për të analizuar një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit tonë, demografinë, tregun e punës dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendeve tona. Tema e konferencës vështirë se do të ishte më e rëndësishme dhe më me vend po të kemi parasysh zhvillimet e tanishme dhe ato të pritshme demografike. Ato prekin themelet e shoqërisë sonë: sigurinë, familjen, punësimin, mirëqenien dhe perspektivën zhvillimore, prekin të ardhmen tonë. Parashikimet e Kombeve të Bashkuara mbi numrin e popullsisë në vendet e rajonit tonë janë mjaft pesimiste dhe realiteti i sotëm po i konfirmon. Sot, Shqipëria, Kosova dhe Ballkani Perëndimor po përballen me një tranzicion demografik. Popullsia po zvogëlohet dhe plaket për shkak të lindshmërisë së ulët, të emigracionit, si dhe po përqendrohet gjithnjë e më shumë në qytetet e mëdha si pasojë e migrimit të brendshëm.
Më tej, presidenti Begaj tha se zhvillimet negative demografike nënkuptojnë sfida serioze jo vetëm për ekonominë, por dhe më gjerë, për sigurinë tonë kombëtare. Ato sjellin uljen e bazës ekonomike dhe tatimore të shtetit, uljen e aftësisë prodhuese të fuqisë punëtore dhe mbingarkojnë sistemet e pensioneve dhe ato të shëndetësisë. Shpopullimi i zonave rurale dhe kufitare dëmton kohezionin social dhe kontrollin territorial, ndërsa emigracioni i të rinjve zvogëlon kapitalin njerëzor dhe kapacitetin mbrojtës të vendit. Uroj që kjo konferencë të arrijë suksese dhe të mund të ofrojë propozime konkrete që merren me shkaqet dhe jo me pasojat.
E ardhmja e Shqipërisë dhe e Kosovës do të varet nga aftësia jonë, nga aftësia jonë për ta fituar këtë betejë. Kjo është sfida e brezit të sotshëm dhe përballimi i saj me sukses është detyrimi ynë, detyrimi ynë për brezat e ardhshëm.
Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj e vlerësoi konferencën si një ngjarje me rëndësi për shpresat dhe zgjedhjet e qytetarëve tanë dhe shoqërisë sonë për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve që po ndodhin, të cilat kërkojnë një qasje të re politike, që të lidh arsimin, trajnimin profesional, inovacionin dhe punësimin në një sistem të vetëm dinamik dhe elastik.
“Në këtë frymë, Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar lidhjen midis arsimit dhe ekonomisë reale. Janë përditësuar kurrikulat profesionale, janë zhvilluar programe të reja për aftësi në energji të rinovueshme, siguri kibernetike, turizëm dhe teknologji informacioni, ndërsa bashkëpunimi me biznesin është bërë tashmë pjesë e qeverisjes së arsimit profesional. Ky bashkëpunim është thelbësor sepse asnjë sistem arsimor nuk mund të funksionojë i shkëputur nga ekonomia që kërkon t’i shërbejë. Puna dhe arsimi janë bërë pjesë e një cikli të pandarë që kërkon mësim të vazhdueshëm, rikualifikim dhe përmirësim të aftësive. Në këtë drejtim, po promovojmë një kulturë të të nxënit gjatë gjithë jetës, me programe për aftësi digjitale, soft skills, si dhe përfshirjen e “mikro-kualifikimeve” që u japin njerëzve më shumë fleksibilitet për t’u zhvilluar profesionalisht. Në partneritet me sektorin privat, po zgjerojmë aksesin në trajnime praktike, ndërsa digjitalizimi po e bën procesin më gjithëpërfshirës. Platforma puna.gov.al po i lidh qytetarët me vendet e punës në kohë reale, ndërsa aplikacionet e reja me inteligjencë artificiale po ndihmojnë të rinjtë të orientojnë karrierën e tyre me më shumë vetëdije dhe efikasitet. E ardhmja jonë varet nga mënyra si do të investojmë sot në njerëz; në aftësi, dije dhe mundësi.-tha znj. Ibrahimaj.
Konferencën e përshëndeti edhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, znj. Randi Davis.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko u shpreh se ekonomia e Shqipërisë vijon të shënojë ecuri të mirë. Megjithatë, horizonti afatgjatë kërkon adresimin e disa sfidave strukturore si: rritja e produktivitetit, përshtatja me risitë teknologjike, përfshirë këtu dhe zhvillimin e madh të inteligjencës artificiale e digjitalizimit, si dhe kufizimet në burime, veçanërisht ato që lidhen me tregjet e punës. Në dritën e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, integrimi evropian do të krijojë mundësi të reja për tregtinë, investimet dhe konvergjencën institucionale. Megjithatë, përvojat që tashmë kemi nga zgjerimet e mëparshme tregojnë se ky integrim mund të përshpejtojë lëvizshmërinë e fuqisë punëtore, veçanërisht të të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar, drejt vendeve anëtare me ekonomi më të zhvilluara.
Guvernatori vlerësoi se në Shqipëri, si rezultat i kushteve të favorshme të kursit të këmbimit dhe qëndrimeve të duhura të politikës monetare, inflacioni qëndron pranë objektivit të bankës qendrore. Megjithatë, në harkun kohor afatmesëm apo afatgjatë, ndryshimet strukturore në tregun e punës mund të shkaktojnë presione inflacioniste. Deficiti strukturor i vazhdueshëm i fuqisë punëtore, i shoqëruar me plakjen e popullsisë, emigracionin dhe mospërputhjen e aftësive, mund të shkaktojë rritje të pakthyeshme të pagave, veçanërisht nëse nuk shoqërohet edhe me rritje të produktivitetit. Në afat të gjatë, këto dinamika demografike ushtrojnë presion, duke kufizuar kapacitetin e politikës monetare për të stimuluar aktivitetin ekonomik.
Konferenca u zhvillua në pesë panele tematike me ligjërues kryesorë, z. Volker Treichel, ekspert i lartë i zhvillimit ekonomik ndërkombëtar, dr. Zsolt Darvas, studiues në Institutin “Bruegel” në Bruksel, prof. Will Bartlett, njohës i shquar i zhvillimeve ekonomike dhe sociale të Ballkanit Perëndimor.
Punimet shkencore trajtuan çështjen e krizës demografike, potencialin e zhvillimit ekonomik në dekadat e ardhshme, integrimin në Bashkimin Europian dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, dijes dhe kapitaleve; sfidat dhe mundësitë për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Gjithashtu u paraqitën kërkime ndërdisiplinore, që nga ekonomia e sociologjia, tek politikat e arsimit, teknologjisë dhe punësimit; dixhitalizimi, automatizimi dhe inteligjenca artificiale e më gjerë, në kuadrin e një një debati më të gjerë mbi vetë kuptimin e zhvillimit, në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri, me kriza energjetike, klimaterike e gjeopolitike, si një domosdoshmëri për të rishikuar mënyrën se si e matim dhe e kuptojmë progresin.
Pas sesionit të parë, punimet vazhduan në disa panele të tjera tematike gjatë dy ditëve të konferencës në mjediset e Akademisë së Shkencave.
68 kumtues: profesorë, studiues dhe ekspertë nga 10 universitete dhe institute kërkimore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi , paraqitën rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore dhe propozime për politika të reja zhvillimore.