Konferenca e 7-të vjetore shkencore e përbashkët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit

Fjalë e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbajtur në Konferencën VII në kuadër të Procesit të Berlinit, Tiranë 19 shtator 2023

I nderuar kryesues, të nderuar miq, kolegë dhe të tjerë të pranishëm,

Kosova, në pak më shumë se 30 vjet, ka kaluar një periudhë me batica dhe zbatica të mëdha: gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ne kemi jetuar aparteidin dhe segregacionin në arsim, pra edhe në arsimin e lartë; pastaj luftën, me 13 mijë të vrarë, ndër të cilët 1,100 fëmijë; pastaj shumë mësimdhënës dhe studentë të vrarë, si dhe me shkatërrimin e pothuajse të tërësishëm të infrastrukturës arsimore, laboratore, biblioteka, mësonjtore etj.

Me vendime dhe ligje të Serbisë, duke i vënë në zbatim ato me dhunë policore, u mbyllën institute shkencore dhe institucione arsimore, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Procesi e ringritjes së sistemit arsimor në Kosovë, edhe përkundër faktit se është ndihmuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, ka qenë i vështirë. Përveç kthimit në një proces normal arsimor, ka qenë e nevojshme të bëhet edhe strukturimi, respektivisht bashkëkohësimi i sistemit dhe i procesit të mësimdhenies dhe mësimnxënies.

Prandaj, gjatë këtyre viteve ka qenë krejtësisht normale që edhe në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë t’i kushtohet më shumë kujdes procesit mësimor, sesa atij shkencor, madje veprimtaria shkencore është reduktuar dukshëm në veprimtari suplementare në raport me procesin arsimor dhe në një mënyrë është vënë në shërbim të tij: marrja e titujve shkencorë dhe publikimi i punimeve shkencore nuk po bëhet për programe as për punë shkencore, por për të avancuar me titujt universitarë. Ky është një fenomen i përhapur edhe në tërë rajonin.

Me një fjalë, ka fare pak ose aspak shkencëtarë të mirëfilltë, ka vetëm mësimdhënës universitarë që merren me punë shkencore në mënyrë sporadike.
Më anë tjetër, një numër i konsiderueshëm i të rinjve në Kosovë që tashmë janë orientuar nga shkencat ekzakte, janë duke u shfrytëzuar si fuqi punëtore për shërbime në fushën e internetit, duke e mos e vazhduar ngritjen e mëtejshme profesionale, por duke u bërë fuqi punëtore e diskriminuar: pa sigurime, pa asnjë të drejtë. Ndonëse nuk ka shënime të sakta, të tillë mund të jenë në Kosovë rreth 5 mijë të rinj.

Dua të ngreh para jush edhe një shqetësim tjetër: çështja e botimeve shkencore.

Duke mos qenë anëtare e UNESCO-s, Kosovës i është pamundësuar të marrë ISSN-në për revista shkencore dhe, për pasojë, të gjithë ata që duan të avancohen në procesin mësimor universitar janë të detyruar të publikojnë punime shkencore në revista me impakt faktor, i cili në Ballkanin Perëndimor, por jo vetëm këtu, është bërë treg spekulativ, respektivisht i dyshimtë në të gjitha pikëpamjet. Nëse vonohet pranimi i Kosovës në UNESCO, Akademia do të kërkojë nga Universiteti që të rishikojë rregulloret e veta, në mënyrë që avancimet dhe marrja e titujve të mos lidhet me botime të këtilla spekulative.

Prandaj, do të doja që nga ky tubim të dalë si rekomandim që Kosovës t’i bëhet një vend në familjen e madhe të kulturës dhe shkencës, pra në UNESCO, meqë pranimi në këtë organizatë zgjidh edhe disa çështje substanciale që lidhen edhe me veprimtarinë shkencore dhe universitare. Bie në kundërshtim të thellë mospranimi i Kosovës në këtë organizatë me misionin  dhe me parimet e saj themelore.

Ndërkohë, neve na mbetet t’i realizojmë tre prioritete: 1) Të hapen institute dhe qendra hulumtimi pranë fakulteteve dhe katedrave universitare;  2) Buxheti prej që ndahet për veprimtari shkencore (i vogël, natyrisht) të shkojë ekskluzivisht për hulumtime shkencore dhe të mos shpenzohet si buxhet suplementar për arsimin e lartë; dhe 3) Akreditimi i universiteteve private të mos bëhet pa programe shkencore.

Ju faleminderit!