Pjesëmarrje e anëtarëve të ASHAK në konferencën europiane për klimën në Varshavë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Polonisë dhe Akademia Nacionale e Shkencave të Gjermanisë- Leopoldina, organizuan më 15 dhe 16 maj 2023, Konferencën Europiane për Klimën.
Konferenca u organizua në Varshavë të Polonisë dhe kishte për qëllim të diskutojë për pasojat e ndryshimeve klimatike dhe përparimin që është bërë dhe që duhet të bëhet në drejtim të zvogëlimit të këtyre ndryshimeve.  Në konferencë morën pjesë akademikë dhe ekspertë nga 45 vende të Europës dhe të Azisë Qendrore. ASHAK-un e përfaqësuan anëtarët korrespondentë: prof. Myzafere Limani dhe prof. Fetah Podvorica.
Në kuadër të konferencës u mbajt një ligjëratë plenare dhe pastaj punimet e saj vazhduan në formë të tryezave të debatit, në 6 tematika të ndryshme:
1) Ndryshimet klimatike: përgjigjja prej shoqërive dhe përgjigja prej biznesit dhe politikës;
2) Ndryshimet sektoriale në Europë: përshtatja dhe zvogëlimi i efektit të ndotjes;
3) Bujqësia dhe shfrytëzimi i tokës;
4) Industria dhe Energjia;
5) Uji dhe ekosistemet;
6) infrastruktura, mobiliteti dhe rreziqet.

Në kuadër të panelit të tryezës së industrisë dhe të energjisë, që e udhëhoqi prof. Peter Bruce, nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Britanisë së Madhe- Royal Society, në mesin e panelistëve mori pjesë edhe prof. Fetah Podvorica me prezantimin: “Roli i hidrogjenit në dekarbonizim të industrisë”.
Gjatë gjithë konferencës u vunë në spikamë disa pasoja të dukshme dhe më pak të dukshme të ndryshimeve klimatike, të shkaktuara prej aktiviteteve antropogjene, siç edhe quhet tani: koha e Anthropocenit. Pasojat e dukshme janë, në radhë të parë,  valët e nxehtësisë, thatësirat, zjarret e përmasave të mëdha, të reshurat shumë të dendura, ndryshimet sezonale etj. Pasojat më pak të dukshme kanë të bëjnë me zhdukjen e specieve të ndryshme, humbjen e biodiversitetit dhe çrregullimet në ekosisteme, shkatërrimin e tokave bujqësore, shkrirjen e akullnajave, rritjen e nivelit të detit, rritjen e aciditetit në oqeane, zvogëlimin e resurseve të ujit të pijshëm etj.

Të gjitha detajet e programit të konferencës mund të gjenden në vegzën:
https://europeanclimateconference.eu/full-program/

Në fund të Konferencës është miratuar edhe një komunikatë e cila poashtu, mund të gjendet në vegzën
https://europeanclimateconference.eu/