Të nderuar historianë dhe të tjerë të pranishëm,
Më lejoni që në fillim t’ju uroj 55-vjetorin e themelimit të Institutit të Historisë dhe t’ju dëshiroj arritje dhe depërtime të reja në ndriçimin e të vërtetës historike për Kosovën dhe të shkuarën e saj.
Këtu e 55 vjet më parë, Instituti i Historisë së Kosovës, Enti, siç quhej në fillim, u themelua për t’i dhënë mbështetje ideologjike një ideje politike: se kombet dhe kombësitë e asaj ish-Jugosllavie ishin të barabartë dhe se kjo barazi buronte nga pjesëmarrja e tyre në Luftën Nacionalçlirimtare, në revolucion dhe në vetëqeverisjen socialiste. Por, meqë në atë ish-Jugosllavi disa mund të ishin më të barabartë se të tjerët dhe se e vërteta e tyre historike mund të ishte më e vërtetë se e vërteta historike e të tjerëve, në fillim ky Institut u quajt Ent dhe kompetencat e tij nuk mund të shkonin përtej glorifikimit të LNÇ-së dhe të heronjve të saj.
Më pas, me Kushtetutën e vitit 1974, e vërteta historike e Kosovës, disi duke u “shtyrë me bërryla”, siç i thonë një fjale, fitoi të drejtën të futej në një garë të vështirë dhe të pabarabartë për të dëshmuar jo vetëm pjesëmarrjen shpesh të mohuar në LNÇ, por mbi të gjitha të përballonte dhe t’iu kundërvihej shovinizmit historiografik serb dhe jugosllav, i cili mohonte origjinën, zhdukte dëshmi për trashëgiminë dhe me çdo kusht donte të pamundësonte çdo subjektivitet historik të Kosovës. Në këtë pikë ishin të një mendje pothuajse të gjitha kombet dhe kombësitë e ish-federatës jugosllave: Kosova nuk mund të ishte asgjë më shumë se një tokë e pushtuar dhe e harruar në heshtjen e saj.
Të bëhej Kosova me subjektivitet historik në një rrethanë të tillë pothuajse duhej e pamundur.
Ashtu sikundër mund të pritej, ndërkohë, përballja e vazhdueshme me këtë trend mohimi, sikundër edhe krijimi i një fronti të përhershëm të refuzimit ndaj tij, krijoi terren të përshtatshëm për nacionalizmin tonë historik, i cili i glorifikoi ngjarjet dhe personat e historisë deri në dëmtim të ndjeshëm të substancës dhe të përmbajtjeve historike.
Kjo i përket së shkuarës dhe është ajo pjesë e historisë së Kosovës që duhet të rishkruhet ose të ridizajnohet.
Sot konsiderohet se nacionalizmi historik është errësim i mendjes dhe i gjykimit kritik. Këtë mësim largvajtës për historinë e kemi mësuar të gjithë dhe tani na mbetet që nga parimet e vlerësimit kritik, të kalojmë në terrenin e vështirë të rishkrimit të historisë në shumicën e përbërësve të saj. Kjo nuk do të mund të bëhet me një urdhër dhe me një dekret, por mbase mund të bëhet me një atmosferë produktive në shkencë, në shkencën e historisë në këtë rast, duke nxitur njohjen më të mirë të dëshmive historike dhe dokumenteve arkivore, leximin e tyre objektiv dhe interpretimin mbi baza thellësisht shkencore.
Pas kësaj përvoje 55-vjeçare të këtij institucioni të shkrimit të historisë së Kosovës, besoj se ju mund ta bëni këtë!
Ju faleminderit dhe urime!