Fjala e kryetarit të ASHAK-ut në 50-vjetorin e ASHSH-së

Të nderuar miq, akademikë, mysafirë dhe të tjerë të pranishëm,
Më lejoni që nga kjo foltore e rëndësishme e historisë më të re të Shqipërisë, në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës t’i uroj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë 50-vjetorin e themelimit, një përvjetor ky shumë i rëndësishëm i dijes dhe i shkencës shqiptare në përgjithësi.
Uroj që në vitet dhe dekadat që vinë të shënoni suksese të reja në misionin tuaj të rëndësishëm të përparimit të shkencës dhe thellimit të dijes shkencore në funksion të iluminimit të mbarë botës shqiptare.
Ky gjysmë shekulli i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është i shoqëruar me prurje idesh të lidhura ngushtë me dimensionin më vital të historisë së kombit shqiptar, me albanologjinë, me historinë, me shkencat e tjera shoqërore dhe ato të natyrës, të cilat përbëjnë korpusin e madh të dijes dhe të identitetit. Studimet që kanë buruar nga ky institucion kanë synuar të zënë vendin e vlerave më të qëndrueshme dhe të arritjeve tona më të mëdha në fushën e shkencës dhe të njohjes.

Të nderuar miq,
Themelimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më 1972 dhe themelimi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 1975 shënuan fazë të re në zhvillimin e shkencës në botën shqiptare.
Pavarësisht se koha jonë ka njohur ndryshime të mëdha në të gjitha fushat, përfshirë edhe studimet dhe kërkimet shkencore, përkujdesja institucionale mbi këtë veprimtari vjen dhe bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, veçmas në rrethanat tona, kur qarkullimi i ideve ka filluar tashmë të shoqërohet me lëvizje demografike jotipike dhe me një zhvendosje fizike edhe të bartësve të dijes shkencore. Ne sot po përballemi me një dëmtim substancial të potencialit shkencor, i cili po largohet nga vendet tona, jo vetëm si potencial krijues, por edhe si recipient i kësaj dijeje, njësoj sikundër edhe i vlerave artistike.
Mbase është thjeshtë iluzion, por nga kjo foltore më lejoni të them se nxitja institucionale e një fryme idealiste në krijimtarinë shkencore dhe artistike ndoshta do t’i ndryshonte trendet negative të mërgimit të bartësve të krijimtarisë dhe të dijes, të cilët po largohen bashkë me ardhmërinë tonë, bashkë me potencialin krijues të së nesërmes sonë.
Me këtë idealizëm pothuajse të braktisur, nxitja e frymës kritike në dijet shkencore, përfshirë edhe ç’ideologjizimin e tyre, pastaj me bashkëkohësimin e metodave të hulumtimit, pa mëdyshje që do të krijoheshin impakte të reja, duke ndihmuar ristrukturimin dituror të mbarë botës shqiptare.

Ju faleminderit!