Kryetar Kadri Rahimaj së bashku me Drejtorin Afrim Dervishi kanë pritur në takim akademik Fejzullah Krasniqi.
Në këtë takim Kryetari Rahimaj ka dhuruar titullin “Qytetar Nderi” i Komunës së Kamenicës për akademik Fejzullah Krasniqin.
“Akademiku Krasniqi me meritë të plotë si dhe për kontributin e dhënë për vendlindjen e tij, meriton dhe nderohet si Qytetar Nderi i Kamenicës”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Z. Krasniqi në vitin 2005 ka qenë i angazhuar si mësimdhënës në Universitetin Politeknik të Tiranës, profesorët e të cilit institucion ishin ligjëruesit e z. Krasniqi.
Në vitin 2008 është zgjedhur anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2012 është zgjedhur anëtar i rregullt (Akademik).
Në vitin 2015 i është ndarë titulli Doktor Honoris Causa nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe deri më tani, është i vetmi nga Kosova që ka këtë gradë.
Në vitin 2023 është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Akademiku Krasniqi me meritë të plotë si dhe për kontributin e dhënë për vendlindjen e tij, meriton dhe nderohet si Qytetar Nderi i Kamenicës.
BIOGRAFI
Fejzullah (Ibrahim) Krasniqi lindi më 1953 në fshatin Tygjec të Kamenicës. Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike (FIM) e kreu në Universitetin e Prishtinës (UP) në vitin 1977. Pas diplomimit tri vite ka punuar në fabrikën e pllakave të qeramikës në Dardanë në pozitën e drejtorit të mirëmbajtjes. Magjistroi në Shkup në vitin 1983, ndërsa doktoroi në Prishtinë në vitin 1988.
Në vitin 1979 zgjidhet asistent, në vitin 1989 docent, në vitin 1994 profesor inordinar dhe në vitin 1999 profesor ordinar në FIM të UP-së. Ka ligjëruar lëndët: Ngrohja dhe klimatizimi, Termodinamika inxhinierike, Termocentralet, Termofikimi, etj. Në vitet 2004, 2005 dhe 2006, ka ligjëruar kurse në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. Prej vitit 2005 ka mbajtur cikle ligjëratash nga lënda Termodinamika dhe Fizika teknike edhe në Universitetin Politeknik të Tiranës, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2018 ka mbajtur mësim edhe në USH të Tetovës. Ishte mentor për 5 kandidatë të doktoratës ndërsa për 10 kandidatë tjerë në Kosovë dhe Shqipëri ishte bashkëmentor dhe oponent. Si autor i vetëm apo me bashkautorë ka botuar 105 punime shkencore si dhe ka botuar 8 tekste universitare dhe 6 tekste monografike. Libri ,,Proceset dhe ciklet termodinamike’’ i botuar nga ASHAK, në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor (23-25 Prill 2024) në Tiranë ka marrë çmimin vepra më e mirë studimore.
Katër herë ishte shef i departamentit, dy herë prodekan, dy herë ishte dekan i FIM dhe tri herë ishte zgjedhur anëtar i Senatit të UP. Në vitin 2009 u zgjodh kryesues i Senatit të UP-së. Në periudhën (2015-2018) ishte kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa në vitin 2012 u zgjodh anëtar i rregullt (akademik). Më 5.07.2023 zgjidhet anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Në vitet (2011-2017) ishte sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës në ASHAK. Në vitet 1985 dhe 1987 gjashtë muaj ka bërë punë hulumtuese në Institutin e Energjetikës në Moskë, ku është udhëhequr nga profesori me famë botërore J. J. Sokollov. Në vitin 1991, dy muaj bëri punë hulumtuese në Fabrikën e turbinave “MAN” në Nuremberg (Gjermani). Në vitin 2004, ka bërë punë hulumtuese dymujore në Universitetin e Leçes në Itali. Për vizita studimore ka qëndruar në Universitetin Teknik të Vjenës (Austri), në Universitetin e Fraibergut (Gjermani), në Bratislavë (Çekosllovaki), në Erlangen (Gjermani), në Torino dhe Gjenovë (Itali), etj. Ishte koordinator i projektit ndërkombëtar TEMPUS “Promovimi i lidhjeve akademike industriale në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike” (2002 deri 2004). Po ashtu ishte anëtar i redaksisë qendrore të Fjalorit enciklopedik të Kosovës (ASHAK, 2018) ndërsa aktualisht është anëtar i redaksisë qendrore të Enciklopedisë shqiptare (ESH) dhe kryeredaktor i revistës shkencore Research/Kërkime të ASHAK. Është bartës i shumë mirënjohjeve dhe çmimeve prestigjioze si titullin “Doctor Honoris Causa” të Universitetit Politeknik të Tiranës (2015) dhe çmimin “Marin Barleti” të Konferencës shkencore vjetore të Universitetit “Kadri Zeka” (2023) në Gjilan. Në ditën e nderimit me 12 gusht 2025 akademikut Fejzullah Krasniqi i ndahet titulli qytetar nderi i komunës së Kamenicës.