Sot, më 15 qershor 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u mbajt ekspozita personale e skulptorit dhe anëtarit korrespondent të Seksionit të Arteve të ASHAK, skulptorit Ismet Jonuzi, me titull “TRANSFORMA”.
Ekspozita, e kuruar nga Prof. Fatmir Mustafa-Karllo, profesor në Kolegjin UBT, paraqet një përmbledhje të veprimtarisë krijuese të autorit, i cili për më shumë se katër dekada ka dhënë kontribut të rëndësishëm në artin pamor dhe në zhvillimin e skulpturës bashkëkohore në Kosovë. Përmes formave, materialeve dhe gjuhës së tij artistike, Jonuzi sjell një reflektim mbi njeriun, hapësirën, kujtesën dhe transformimet shoqërore e shpirtërore.
Ekspozitën e hapi dhe të pranishmit i përshëndeti akademik Eqrem Basha, i cili vlerësoi lart krijimtarinë artistike të Ismet Jonuzit dhe kontributin e tij të veçantë në skulpturën dhe kulturën pamore shqiptare.
Kjo ekspozitë synon jo vetëm prezantimin e krijimtarisë së artistit, por edhe ofrimin e një perspektive më të qartë mbi vendin që zë arti i skulpturës në kulturën tonë pamore. Veprat e ekspozuara dëshmojnë për përkushtimin, mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë humane të autorit, duke e vendosur krijimtarinë e tij në një dialog të vazhdueshëm me kohën dhe me publikun.
Në fund të ceremonisë, autori Ismet Jonuzi falënderoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kuratorin Prof. Fatmir Mustafa-Karllo, si dhe të gjithë të pranishmit që nderuan me pjesëmarrje këtë ngjarje artistike. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë edhe akademik Eqrem Bashën për fjalët e tij vlerësuese dhe për faktin se e ka përcjellë me shumë vëmendje gjithë krijimtarinë e autorit.






